Dhikri më i mirë: SubhanAllah, Elhamdulilah, La ilahe il-lallah

Fjalë të shkurtra përmendjeje me shpërblim të madh, për çdo kohë të ditës.

1 Një herë

لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ

Kuptimi dhe burimi

Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëguar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: "Dhikri më i mirë është: "La ilahe il-lallah", ndërsa lutja më e mirë është: "Elhamdulilah."

Transmetojnë Tirmidhiu, Nesaiu në “Es-Sunen el-kubra” dhe Ibn Maxhe Grada: Hasen

Shpjegimi

Profeti ﷺ na tregon në këtë hadith se dhikri (përmendja e Allahut) më i mirë është: “La ilahe il-lallah”, që do të thotë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, e lutja më e mirë është: "Elhamdulilah (çdo lavdërim i takon Allahut)", që nënkupton pranimin se Dhuruesi është Allahu i Lartësuar, Meritori për cilësitë e përsosura dhe të bukura.

Dobitë

  • Inkurajimi për ta thënë shpesh fjalën e teuhidit dhe lutjen "elhamdulilah".

Lexo në HadeethEnc.com

2 Një herë

سُبْحَانَ اللَّهِ، وَالْحَمْدُ لِلَّهِ، وَلَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ، وَاللَّهُ أَكْبَرُ

Kuptimi dhe burimi

Semura ibën Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Fjalët më të mira tek Allahu janë katër: subhanallah (i Lartësuar është Allahu), elhamdulilah (lavdfalënderimi i takon Allahut), la ilahe il-lallah (s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut) dhe Allahu Ekber (Allahu është më i madhi). Nuk prish punë se me cilën fillon."

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith sqaron se fjalët më të dashura tek Allahu i Lartësuar janë katër:

Subhanallah, që nënkupton lartësimin dhe dëlirësimin e Allahut të Lartësuar nga çdo mangësi.

Elhamdulilah, që nënkupton përshkrimin e Allahut me të gjitha cilësitë e përsosurisë dhe plotësisë, duke e dashur dhe duke e madhëruar.

La ilahe il-lallah, që nënkupton se nuk ka të adhuruar meritor pos Allahut.

Allahu Ekber, që nënkupton se Allahu është më i çmuari, më madhështori dhe më krenari se çdo gjë tjetër.

Mirësitë e tyre dhe marrja e shpërblimit, që rezulton kur të thuhen, nuk nënkupton të shqiptohen me renditje.

Dobitë

  • Feja është e lehtë, prandaj nuk prish punë se me cilën nga këto fjalë fillon.

Lexo në HadeethEnc.com

3 Një herë

سُبْحَانَ اللَّهِ وَبِحَمْدِهِ، سُبْحَانَ اللَّهِ الْعَظِيمِ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: "Dy fjalë janë të lehta për gjuhën, të rënda në Peshore dhe të dashura për të Gjithëmëshirshmin: "Subhanallahil Adhim, subhanallahi ve bihamdihi (I Lartësuar është Allahu i Madhëruar, i Lartësuar është Allahu dhe Atij i takon lavdërimi)!”

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith tregoi për dy fjalë që njeriu i shqipton pa vështirësi, në çdo rrethanë dhe se për to ka shpërblim të madh në peshore dhe se Zoti ynë, i Gjithëmëshirshmi e i Lartmadhërishmi, i do ato:

Subhanallahil Adhim, subhanallahi ve bihamdihi (I Lartësuar është Allahu i Madhëruar, i Lartësuar është Allahu dhe Atij i takon lavdërimi)!” Kjo, se ato ngërthejnë në vete përshkrimin e Allahut dhe madhështi e përsosuri, si dhe dëlirësimin e Tij nga mangësitë.

Dobitë

  • Dhikri më madhështor është ai tek i cili bashkohet dëlirësimi i Allahut dhe lavdërimi i Tij.
  • Sqarimi se mëshira e Allahut është e gjerë me robërit e Tij, dhe se Ai për një vepër të vogël shpërblen shumë.

Lexo në HadeethEnc.com

4 Një herë

سُبْحَانَ اللَّهِ، وَالْحَمْدُ لِلَّهِ، وَلَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ، وَاللَّهُ أَكْبَرُ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Që të them: "Subhanallah (i patëmeta është Allahu), elhamdulilah (lavdërimi i takon Allahut), la ilahe il-lallah (nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) dhe Allahu ekber (Allahu është më i madhi)" është më e dashur tek unë se çdo gjë që Dielli e përshkon kur lind."

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregon se përmendja e Allahut të Lartësuar me këto fjalë madhështore është më e mirë se kjo botë dhe çdo gjë në të. Këto fjalë janë:

Subhanallah - është lartësim për Allahun nga çdo mangësi.

Elhamdulilah - është lavdërim për Allahun përmes cilësive të përkryera, duke e dashur dhe madhëruar.

La ilahe il-lallah, respektivisht nuk ka zot që meriton të adhurohet denjësisht pos Allahut.

Allahu ekber - është më madhështori dhe më i madhi se çdo gjë.

Dobitë

  • Inkurajimi për ta përmendur Allahun dhe se kjo gjë është më e dashur se çdo gjë që Dielli e përshkon kur lind.
  • Inkurajimi për ta përmendur Allahun sa më shpesh, sepse në të ka shpërblim dhe mirësi.
  • Kënaqësitë e kësaj bote janë të pakta dhe kalimtare.

Lexo në HadeethEnc.com

5 100 herë

سُبْحَانَ اللَّهِ وَبِحَمْدِهِ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Atij që thotë: "Subhanallahi ve bihamdihi (I patëmeta është Allahu dhe lavdërimi i takon Atij)", njëqind herë në ditë, i fshihen mëkatet, edhe në qofshin sa shkuma e detit."

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregon se, atij që thotë: "Subhanallahi ve bihamdihi (I patëmeta është Allahu dhe lavdërimi i takon Atij)", njëqind herë në ditë, i fshihen mëkatet, edhe në qofshin sa shkuma e detit, kur valëzohet dhe shpërthen.

Dobitë

  • Ky shpërblim arrihet për këdo që e thotë gjatë ditës, qoftë ngjitur, qoftë ndaras.
  • Tesbihu nënkupton dëlirjen e Allahut nga mangësitë, ndërsa hamdi nënkupton përshkrimin e Allahut me përsosuri, duke ia bashkëngjitur kësaj dashurinë dhe madhërimin.
  • Ajo që nënkuptohet në këtë hadith është shlyerja e mëkateve të vogla. Sa u përket mëkateve të mëdha, për to duhet pendim.

Lexo në HadeethEnc.com

6 Një herë

سُبْحَانَ اللَّهِ الْعَظِيمِ وَبِحَمْدِهِ

Kuptimi dhe burimi

Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Atij që thotë: "Subhanallahil adhim ue bihamdih (I Lartësuar është Allahu i Madhëruar dhe Atij i takon falënderimi!), i mbillet një palmë hurme në Xhenet.”

Transmeton Tirmidhiu Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka njoftuar se kushdo që thotë: “Subhanallāh”, duke e madhëruar Allahun e Lartësuar në Qenien, Cilësitë dhe Veprat e Tij, dhe “ue bihamdih”, duke ia atribuar Atij cilësitë e përsosmërisë dhe lavdërimit, për çdoherë që e thotë këtë dhikër, Allahu i mbjell atij një palmë hurme në tokën e Xhenetit.

Dobitë

  • Ky hadith inkurajon në përmendjen e shpeshtë të Allahut të Lartësuar, e cila përfshin njëkohësisht tesbihun (fjalën, subhanallah) dhe tahmidin (fjalën, elhamdulilah).
  • Xheneti është i gjerë, ndërsa mbjellja e tij është tesbihu (thënia subhanallah) dhe tahmidi (thënia elhamdulilah), si mirësi dhe dhuratë nga Allahu i Lartësuar.
  • Palma e hurmës është përmendur në mënyrë të veçantë në këtë hadith, përveç pemëve të tjera, për shkak të dobive të shumta dhe bereqetit të frutit të saj. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e ka marrë atë si shembull për besimtarin dhe besimin e tij në Kuran.

Lexo në HadeethEnc.com

7 Një herë

لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ، اللهُ أَكْبَرُ كَبِيرًا، وَالْحَمْدُ لِلَّهِ كَثِيرًا، سُبْحَانَ اللهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ، لَا حَوْلَ وَلَا قُوَّةَ إِلَّا بِاللهِ الْعَزِيزِ الْحَكِيمِ

Kuptimi dhe burimi

Nga Sa'di (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: "Një beduin erdhi te Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: 'Më mëso disa fjalë që t'i them!' Pejgamberi tha: 'Thuaj, nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut, i Cili është i Vetëm, pa ortak, Allahu është më i Madhi, Atij i takon falënderimi i shumtë, i Pastër është Allahu, Zoti i botëve, nuk ka ndryshim dhe as fuqi veçse nëpërmjet Allahut të Gjithëfuqishmit, të Urtit.' Beduini tha: 'Këto fjalë janë për Zotin tim, po për mua çfarë ka?' Pejgamberi i tha: 'Thuaj: O Allah, më fal, më mëshiro, më udhëzo dhe më furnizo!'"

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Një burrë nga banorët e shkretëtirës i kërkoi Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) t'i mësonte një dhikër që ta bënte dhe Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i tha: Thuaj: "Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut, i Cili është i Vetëm, pa ortak." Pejgamberi e filloi porosinë me dëshminë e teuhidit, kuptimi i së cilës është se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut. "Allahu është më i Madhi!" D.m.th: Allahu është më i madh dhe më madhështor se çdo gjë. "Falënderimi i shumtë i takon Allahut!" D.m.th: Allahut i takon falënderimi i shumtë për cilësitë, veprimet dhe mirësitë e Tij të panumërta. "I Pastër është Allahu, Zoti i botëve!" D.m.th: Ai është i pastër nga çdo e metë. "Nuk ka ndryshim dhe as fuqi veçse nëpërmjet Allahut, të Gjithëfuqishmit, të Urtit." D.m.th: Nuk kalohet nga një gjendje te tjetra, veçse falë Allahut, falë ndihmës dhe orientimit të Tij. Burri tha: “Këto fjalë janë për Zotin tim për ta përkujtuar dhe madhëruar Atë. Po unë çfarë lutjesh mund të bëj për veten time?” Dhe Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i tha: "Thuaj: OAllah, më fal mua!" Me anë të fshirjes dhe mbulimit të mëkateve. "Dhe më mëshiro!" Duke më sjellë dobi dhe mirësi në fe dhe në jetën materiale. "Dhe më udhëzo!" Duke më orientuar te gjendja më e mirë dhe rruga e drejtë. "Dhe më furnizo me rrizk!" D.m.th: më furnizo me pasuri të pastër, me shëndet, me mirëqenie dhe me çdo gjë të mirë.

Dobitë

  • Nxitja për kujtimin e Allahut të Madhëruar me anë të thënies; La ilahe il-lallah, Allahu ekber, Elhamdulilah dhe Subhanallah.
  • Pëlqehet që të përmendet dhe të lëvdohet Allahu i Madhëruar para se të lutemi.
  • Pëlqehet që njeriu të përzgjedhë duatë më të mira, ato që janë të transmetuara nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) dhe që përfshijnë mirësitë e kësaj jete dhe të jetës tjetër. Sidoqoftë, ai mund të lutet për çdo gjë që dëshiron.
  • Njeriu duhet të ketë zell për të mësuar çështjet që i sjellin dobi atij në këtë jetë dhe në jetën tjetër.
  • Nxitja për të kërkuar falje, mëshirë dhe rrizk ngase këto përfshijnë gjithë të mirat.
  • Meraku i Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) për t'i mësuar umetit të tij çështjet që u sjellin atyre dobi.
  • Mëshira është renditur pas faljes, në mënyrë që të plotësohet procesi i pastrimit; falja është mbulim dhe fshirje e mëkateve dhe shpëtim nga Zjarri, ndërsa mëshira është përçim i mirësive dhe hyrje në Xhenet. Pikërisht kjo është fitorja e madhe.

Lexo në HadeethEnc.com

8 Një herë

رَضِيتُ بِاللَّهِ رَبَّاً، وَبِالْإِسْلَامِ دِيناً، وَبِمُحَمَّدٍ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ نَبِيّاً

Kuptimi dhe burimi

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që thotë: 'Raditu bil-lahi Rabben, ue bil-Islami dinen, ue bi Muhammedin rasulen' (Jam i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si të Dërguar), i garantohet Xheneti.”

Transmeton Ebu Davudi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se atij që thotë: “Jam i kënaqur me Allahun si Zot”, si i Adhuruar, Furnizues, Pronar, Sundues dhe Rregullues; “me Islamin”, me të gjitha dispozitat e tij, urdhrat dhe ndalesat; “si fe”, si besim dhe ligj përmes bindjes dhe dorëzimit; “dhe me Muhamedin si të Dërguar” dhe profet, me gjithçka me të cilën është dërguar dhe që na e ka përcjellë, i garantohet Xheneti.

Dobitë

  • Nxitja për ta thënë këtë lutje dhe sqarimi i shpërblimit që pason për të.
  • Të jesh i kënaqur me Allahun si Zot, nënkupton që njeriu të mos adhurojë askënd tjetër përveç Allahut të Lartësuar.
  • Të jesh i kënaqur me Muhamedin ﷺ si profet dhe i dërguar, nënkupton t'i bindesh dhe t'i nënshtrohesh Sunetit të tij.
  • Të jesh i kënaqur me Islamin si fe, tregon kënaqësi me atë që Allahu ka zgjedhur për robërit e Tij.
  • Është e pëlqyer që kjo lutje të thuhet pas dy dëshmive kur dëgjohet ezani, siç tregohet në transmetime të tjera.
  • Është përmendur në një hadith tjetër se kjo lutje këshillohet të thuhet në mëngjes dhe në mbrëmje.

Lexo në HadeethEnc.com

9 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Malik el Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) "elhamdulilah" e rëndon peshoren, (thëniet:) "subhanallah" (i patëmeta është Allahu) dhe "elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) mbushin, - ose e mbush, - hapësirën ndërmjet qiejve dhe Tokës. Namazi është nur, lëmosha është dëshmi, durimi është ndriçim dhe Kurani është argument, për ose kundër teje. Andaj, çdo njeri, kur zgjohet në mëngjes, ose do ta shesë veten duke e liruar atë, ose do të vetëshkatërrohet."

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith tregon se pastërtia e jashtme arrihet me abdes e gusël dhe ajo (pastërtia) është kusht i namazit. Thënia: "elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) e rëndon peshoren", është falënderim ndaj Allahut të Lartësuar dhe përshkrim i Tij me cilësi të përkryera, të cilat do të peshojnë në Ditën e Kiametit dhe do ta mbushin peshoren e veprave. Thëniet: "subhanallah" (i patëmeta është Allahu) dhe elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) janë dëlirësim i Allahut nga të gjitha mangësitë dhe përshkrim i Tij me cilësi të përkryera, që i përshtaten madhështisë së Tij, së bashku me dashurinë dhe madhërimin e Tij, gjë që e mbush hapësirën ndërmjet qiejve dhe Tokës. "Namazi është nur” për robin në zemrën e tij, në fytyrën e tij e në varrin e tij kur të ringjallet. "Lëmosha është dëshmi” dhe dëshmi për besimin e çiltër të besimtarit dhe për dallimin e tij nga hipokriti, i cili nuk jep, sepse nuk u beson premtimeve që përmenden për vlerën e saj. "Durimi është ndriçim", që nënkupton vetëpërmbajtjen nga mosdurimi dhe pakënaqësia. Është ndriçim që sjell nxehtësi dhe djegie, si drita e Diellit, sepse është i vështirë dhe kërkon që shpirti të përpiqet e ta ndalojë kundrejt asaj që dëshiron, kësisoj durimtari vazhdon të jetë i ndritur, i udhëzuar dhe vazhdon të jetë në të drejtën. (Durimi ndahet në tri lloje): durimi në bindje ndaj Allahut, durimi për të mos e kundërshtuar Atë dhe durimi përballë fatkeqësive dhe të gjitha llojeve të vështirësive në këtë botë. “Kurani është argument, për” duke e lexuar dhe vepruar sipas tij, “ose kundër teje” duke e lënë atë pa e jetësuar dhe pa e lexuar. Pastaj Profeti ﷺ tregoi se të gjithë njerëzit japin mund, shpërndahen, zgjohen nga gjumi dhe largohen nga shtëpitë e tyre për punët e tyre të ndryshme: prej tyre ka që i përmbahen bindjes ndaj Allahut dhe çlirohen nga Zjarri, gjithashtu ka prej tyre që devijojnë prej kësaj dhe bien në mëkat, kështu që shkatërrohen duke hyrë në Zjarr.

Dobitë

  • Pastërtia ndahet në dy lloje: pastërtia e jashtme, që është me abdes e gusël (larje të tërësishme të trupit) dhe pastërtia e brendshme, që është me teuhid (monoteizëm), besim dhe vepra të mira.
  • Rëndësia e faljes së namazit përherë, pasi ai është nur për robin, në këtë botë dhe në Ditën e Kiametit.
  • Lëmosha është dëshmi për besimin e sinqertë.
  • Rëndësia e të punuarit sipas porosive të Kuranit dhe besimit në të, që të jetë argument për ty, e jo kundër teje.
  • Nëse ti veten nuk e angazhon me adhurim, ajo të angazhon ty me mëkatim.
  • Çdo njeri duhet të veprojë: ose e çliron veten nëpërmjet adhurimit, ose vetëshkatërrohet me mëkatim.
  • Durimi kërkon vetëpërmbajtje dhe llogaritje në shpërblim (të Allahut), si dhe është i vështirë.

Lexo në HadeethEnc.com

10 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "E takova Ibrahimin natën kur u ngrita për në Isra, e në atë rast më tha: "O Muhamed, përshëndete umetin tënd me selam nga ana ime dhe informoji se Xheneti ka tokë të mirë, ujë të ëmbël, dhe se ajo është e sheshtë dhe e rrafshuar, dhe se mbjelljet e tij janë: subhanallah, elhamdulillah, la ilahe il-lallah dhe Allahu ekber (I Lartësuar është Allahu, falënderimi i takon Allahut, s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe Allahu është më i Madhi)."

Transmeton Tirmidhiu Grada: Hasen bi shevahidihi

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregon se e takoi Ibrahimin (alejhi selam), mikun e ngushtë të Allahut, natën e Israsë dhe Miraxhit, i cili i tha: "O Muhamed, përshëndete umetin tënd me selam nga ana ime dhe informoji se Xheneti ka tokë të mirë, ujë të ëmbël e pa kripë, dhe se Xheneti është i gjerë e i sheshtë, pa pemë, dhe mbjelljet e tij janë fjalët e mira, dhe se ato janë fjalë të qëndrueshme dhe të mira: subhanallah, elhamdulillah, la ilahe il-lallah dhe Allahu ekber. Sa herë që muslimani i thotë dhe i përsërit këto fjalë, për secilën herë do t’i mbillet një pemë në Xhenet."

Dobitë

  • Inkurajimi për të vazhduar me përmendjen e Allahut, për të shtuar mbjelljet në Xhenet.
  • Vlera e umetit islam qëndron në faktin se Ibrahimi (alejhi selem), u çoi atyre selam.
  • Ibrahimi (alejhi selam) e inkurajoi umetin e Muhamedit ﷺ që ta shtojnë përmendjen e Allahut të Lartësuar.
  • Tibiu ka thënë: "Xheneti ka një tokë të sheshtë. Më pas Allahu i Lartësuar, me mirësinë e Tij, ka krijuar në të pemë dhe pallate sipas veprave të robërve: për secilin rob që ka punuar, do të ketë në varësi të veprës së tij. E, pasi Allahu ia ka lehtësuar atij veprën për të cilën është krijuar, që të fitojë shpërblimin, atëherë Ai e ka bërë atë si mbjellës të atyre pemëve."

Lexo në HadeethEnc.com

11 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Asnjë popull nuk ulet në ndonjë tubim ku nuk e përmendin Allahun dhe nuk dërgojnë salavate për Profetin e tyre, përveçse ai tubim do të jetë shkak pendimi për ta. Nëse do, Allahu i ndëshkon, e nëse do, i fal.”

رواه أبو داود والترمذي والنسائي في الكبرى Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith paralajmëroi kundër shkujdesjes ndaj përmendjes së Allahut (dhikrit), duke thënë se asnjë grup njerëzish nuk ulet në ndonjë tubim ku nuk e përmendin Allahun e Lartësuar dhe nuk dërgojnë salavate për Profetin e Tij ﷺ, përveçse ai tubim do të jetë për ta burim pendimi, keqardhjeje, humbjeje dhe mangësie në Ditën e Gjykimit. Nëse Allahu do, i ndëshkon për mëkatet e tyre të shkuara dhe mangësitë e ardhshme, e nëse do, i fal ata nga mirësia dhe mëshira e Tij.

Dobitë

  • Inkurajimi për dhikrin (përmendjen e Allahut) dhe theksimi i vlerës së tij.
  • Vlera e tubimeve në të cilat përmendet Allahu i Lartësuar dhe përmendet i Dërguari i Tij ﷺ dhe se tubimet në të cilat mungojnë këto, janë ogur i keq për pjesëmarrësit e tyre në Ditën e Gjykimit.
  • Paralajmërimi kundër neglizhencës ndaj përmendjes së Allahut nuk kufizohet vetëm në tubime, por përfshin edhe gjëra të tjera. Neveviu ka thënë: “Është e papëlqyeshme që dikush të ulet në ndonjë vend dhe të largohet prej tij pa e përmendur Allahun e Lartësuar aty.”
  • Pendimi që do ta përjetojnë në Ditën e Gjykimit është ose për shkak të humbjes së shpërblimit dhe të mirësive për mosshfrytëzimin e kohës në bindje ndaj Allahut, ose për shkak të përfitimit të mëkatit dhe të ndëshkimit për harxhimin e kohës në kundërshtim ndaj Tij.
  • Nëse ky paralajmërim është për pakujdesinë që vjen nga gjëra të lejueshme, atëherë çfarë të thuhet për tubimet e ndaluara, që përfshijnë përgojim, bartje fjalësh dhe ndalesa të tjera?!

Lexo në HadeethEnc.com

Pyetje

Çfarë ka në këtë faqe?

Dhikri më i mirë: secili në arabisht, me kuptimin, hadithin nga vjen, gradën dhe një shpjegim.

Nga vijnë përkthimet?

Nga HadeethEnc.com, Enciklopedia e Haditheve Profetike të Përkthyera. Çdo hadith paraqitet saktësisht siç e botojnë ata, me burimin dhe gradën, dhe me lidhje te origjinali.

Si funksionon numëruesi?

Prek numëruesin nën një dhikr dhe ai numëron mbrapsht deri në zero. Ai është vetëm në këtë faqe dhe nuk ruhet asgjë.

A mund të marr një kujtesë të përditshme?

Po. Aplikacioni falas Qabas për Android të kujton çdo ditë dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ka të njëjtin numërues.