Salavati: dërgimi i salavateve mbi Pejgamberin ﷺ

Si dërgohet salavat mbi Pejgamberin ﷺ dhe shpërblimi i tij.

1 Një herë

اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَى مُحَمَّدٍ وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا صَلَّيْتَ عَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ، اللَّهُمَّ بَارِكْ عَلَى مُحَمَّدٍ وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا بَارَكْتَ عَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ

Kuptimi dhe burimi

Abdurrahman ibn ebi Lejla ka treguar se Ka'b ibn Uxhrah e ka takuar dhe i ka thënë: "A të të jap një dhuratë? Njëherë Profeti (paqja qoftë mbi të!) doli të fliste me ne dhe ne i thamë: 'O Profet i Allahut, e dimë si të lutemi për paqe për ty, por deshëm të dimë si të lutemi për bekime për ty?!' Ai tha: 'Thoni: 'Allãhumme ṣal-li ‘alã Muḥam-medin ue alã ãli Muḥammed kemã ṣal-lejte ‘alã Ibrãhĩme ue ‘alã ãli Ibrãhĩm, inneke ḥamĩdun Mexhĩd. All-llãhumme bãrik ‘alã Muḥammedin ue ‘alã ãli Muḥammed, kemã bãrakte alã Ibrãhĩme ue ‘alã ãli Ibrãhĩm, inneke Ḥamĩdun Mexhĩd.'" (O Allah, bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit. Ti je i Përlëvduar dhe i Lartmadhëruar! O Allah, begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij. Ti je i Përlëvduar dhe i Lartmadhëruar).

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Sahabët e pyetën Profetin (paqja qoftë mbi të!) për mënyrën e dërgimit të salavateve mbi të në uljen e teshehudit, pasi mënyrën e dërgimit të selamit e kishin mësuar më parë; "Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetullahi ue berakatuhu." Profeti (paqja qoftë mbi të!) u tregoi atyre mënyrën e dërgimit të salavateve, kuptimi i të cilave është: "Allãhumme ṣal-li ‘alã Muḥam-medin ue alã ãli Muḥammed" D.m.th: lavdëroje në praninë e kuvendit të lartë Muhamedin bashkë me pasuesit e tij dhe të afërmit e tij besimtarë. "kemã ṣal-lejte ‘alã Ibrãhĩme ue ‘alã ãli Ibrãhĩm." Begatoje Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) ashtu siç begatove familjen e Ibrahimit, familja e të cilit përbëhej nga Ibrahimi, Ismaili, Is'haku, pasardhësit dhe pasuesit e tyre besimtarë. "Inneke Ḥamĩdun Mexhĩd." D.m.th: i Përlëvduar në qenien, cilësitë dhe veprimet e Tua dhe i Lartmadhëruar në madhështinë, sundimin dhe mirësinë Tënde. "Allãhumme bãrik ‘alã Muḥammedin ue ‘alã ãli Muḥammed, kemã bãrakte alã Ibrãhĩme ue ‘alã ãli Ibrãhĩm" d.m.th: jepi atij mirësinë dhe begatinë më të madhe, shtoje atë për të dhe bëj që ajo të jetë e pashterueshme!

Dobitë

  • Të parët e këtij umeti shkëmbenin me njëri-tjetrin dhurata nga çështjet e dijes.
  • Obligueshmëria e dërgimit të salavateve mbi Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) në teshehudin e fundit të namazit.
  • Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i mësoi shokëve të tij mënyrën e dërgimit të selamit dhe të salavateve mbi të.
  • Kjo është forma më e plotë e dërgimit të salavateve mbi Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!).

Lexo në HadeethEnc.com

2 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Husejn ibn Ali bin Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kopraci (i vërtetë) është ai, që kur përmendem unë tek ai, nuk dërgon salavat mbi mua.”

رواه الترمذي والنسائي في الكبرى وأحمد Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka tërhequr vërejtjen nga mosdërgimi i salavateve mbi të kur përmendet emri i tij, kunja (Ebul Kasim) ose përshkrimi i tij. Ai ka thënë: "Kopraci i vërtetë është ai, që kur përmendem unë tek ai, ai nuk dërgon salavat mbi mua. E kjo ka disa arsye:

E para: Kjo është kopraci ndaj diçkaje, që nuk i shkakton asnjë humbje, as të vogël e as të madhe, nuk kërkon dhënie pasurie dhe as përpjekje.

E dyta: Ai ka treguar kopraci ndaj vetes së tij dhe e ka privuar atë nga shpërblimi i dërgimit të salavateve mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ. Kjo për shkak se, duke refuzuar të dërgojë salavate mbi të, ai ka hezituar dhe është shmangur nga përmbushja e një detyre që është e domosdoshme për t’u zbatuar si përgjigje ndaj urdhrit, dhe nga e cila do të përfitonte shpërblim.

E treta: Dërgimi i salavateve mbi të është përmbushje e një pjese të së drejtës së Profetit ﷺ. Ai është që na mësoi, ai është që na udhëzoi dhe na thirri drejt Allahut të Lartmadhëruar. Ai na solli këtë shpallje hyjnore dhe këtë sheriat, pra, ai është shkaku i udhëzimit tonë, pas Allahut të Lartësuar. Kush nuk dërgon salavate mbi të, ka treguar kopraci ndaj vetes së tij dhe ndaj Profetit, ﷺ për një të drejtë që është ndër të drejtat më të vogla ndaj tij.

Dobitë

  • Mosdërgimi i salavateve mbi Profetin ﷺ është shenjë e koprracisë.
  • Dërgimi i salavateve mbi Profetin ﷺ është një nga veprat më të mira dhe adhurimet më të vlefshme në çdo kohë, e veçanërisht bëhet obligim kur përmendet emri i tij.
  • Neveviu ka thënë: "Kur dikush të dërgojë salavate mbi Profetin ﷺ, le të bashkojë mes salavatit dhe selamit, dhe të mos kufizohet vetëm në njërën prej tyre. Pra, të mos thotë vetëm: "sal-lallahu alejhi", dhe as vetëm: "alejhis selam".
  • Ebu Alije ka thënë në komentimin e fjalës së Allahut: "Vërtet Allahu dhe melekët e Tij dërgojnë salavate mbi Profetin": Salavati i Allahut të Lartmadhëruar mbi Profetin e Tij është lavdërimi i Tij për të, ndërsa salavati nga melekët dhe njerëzit për të nënkupton lutjen për të."
  • Halimi ka thënë: "Kuptimi i fjalës- "O Allah, dërgo salavate mbi Muhamedin"- është,- O Allah, madhëroje atë në këtë botë, duke ngritur lart përmendjen e tij, duke shfaqur fenë e tij dhe duke ruajtur sheriatin e tij. Ndërsa në botën tjetër, madhëroje duke e bërë ndërmjetësues për umetin e tij, duke i dhënë shpërblime dhe mirësi të shumta, duke treguar vlerën e tij para të parëve dhe të fundmëve me pozitën e lavdëruar (ar. el Mekam el Mahmud), dhe duke e vendosur atë përpara të gjithëve që kanë pozita të larta."

Lexo në HadeethEnc.com

3 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I poshtëruar qoftë ai njeri, tek i cili përmendem dhe nuk dërgon salavat mbi mua. I poshtëruar qoftë ai njeri që e arrin muajin Ramazan e pastaj ai kalon pa iu falur mëkatet. I poshtëruar qoftë ai njeri njeri që i ka prindërit gjallë në pleqëri e nuk bëhen shkak që ai të hyjë në Xhenet.”

Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ahmedi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka bërë lutje kundër tre llojeve të njerëzve, që hundët e tyre të ngjiten në pluhur, si shenjë poshtërimi, turpërimi dhe humbjeje: Lloji i parë: Ai në praninë e të cilit përmendet Profeti ﷺ, por ai nuk dërgon salavate mbi të, duke thënë: "Sal-lallahu alejhi ue selem" ose ngjashëm me këtë. Lloji i dytë: Ai që e arrin muajin Ramazan dhe pastaj ky muaj i kalon pa iu falur, për shkak të pakujdesisë së tij në kryerjen e veprave të bindjes ndaj Allahut. Lloji i tretë: Ai njeri, të cilit prindërit i arrijnë pleqërinë pranë tij, por ata nuk bëhen shkak që ai të hyjë në Xhenet, për shkak të mosbindjes dhe neglizhencës së tij në përmbushjen e të drejtave të tyre.

Dobitë

  • Sindiu ka thënë: "Në përfundim, secili prej këtyre njerëzve ka pasur një mundësi, dhe sikur të mos ishte pakujdesia e tyre, ata do të kishin fituar një pjesë të madhe të mirësisë. Meqë u treguan të mangët dhe e humbën atë, ata vërtet kanë dështuar dhe kanë pësuar humbje."
  • Ky hadith inkurajon për Dërgimin e salavateve mbi Profetin ﷺ sa herë që përmendet emri i tij.
  • Angazhimin dhe përkushtimin në adhurim gjatë muajit Ramazan.
  • Kujdesin dhe zellin në respektimin e prindërve dhe nderimin e tyre, sidomos në pleqëri.

Lexo në HadeethEnc.com

Pyetje

Çfarë ka në këtë faqe?

Salavati mbi Pejgamberin ﷺ: secili në arabisht, me kuptimin, hadithin nga vjen, gradën dhe një shpjegim.

Nga vijnë përkthimet?

Nga HadeethEnc.com, Enciklopedia e Haditheve Profetike të Përkthyera. Çdo hadith paraqitet saktësisht siç e botojnë ata, me burimin dhe gradën, dhe me lidhje te origjinali.

A mund të marr një kujtesë të përditshme?

Po. Aplikacioni falas Qabas për Android të kujton çdo ditë dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ka të njëjtin numërues.