Lutja për falje (istigfari)

Sejjidul-istigfar dhe fjalët e tjera të kërkimit të faljes nga Suneti.

1 Një herë

اللَّهُمَّ أَنْتَ رَبِّي لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ خَلَقْتَنِي وَأَنَا عَبْدُكَ وَأَنَا عَلَى عَهْدِكَ وَوَعْدِكَ مَا اسْتَطَعْتُ أَعُوذُ بِكَ مِنْ شَرِّ مَا صَنَعْتُ أَبُوءُ لَكَ بِنِعْمَتِكَ عَلَيَّ وَأَبُوءُ لَكَ بِذَنْبِي فَاغْفِرْ لِي فَإِنَّهُ لَا يَغْفِرُ الذُّنُوبَ إِلَّا أَنْتَ

Kuptimi dhe burimi

Nga Sheddad ibën Eusi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Zotëria i istigfarit është të thuash: O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Ti më ke krijuar dhe unë jam robi yt, do të qëndroj besnik në marrëveshjen dhe premtimin Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar. Unë jam mirënjohës për dhuntitë e Tua, i pranoj mëkatet e mia, falmë mua, sepse nuk i fal mëkatet askush tjetër përveç Teje.'' Kush e thotë këtë gjatë ditës, duke qenë i bindur në të dhe vdes atë ditë para se të ngryset, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit. E kush e thotë këtë natën, duke qenë i bindur në të dhe vdes para se të gdhijë, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit".

Transmeton Buhariu Grada: Sahih

Shpjegimi

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se istigfari (pendimi) ka versione të ndryshme dhe se versioni më i mirë dhe më madhështor është që njeriu të thotë: "O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Ti më ke krijuar dhe unë jam robi yt, do të qëndroj besnik në marrëveshjen dhe premtimin Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që e kam vepruar. Unë jam mirënjohës për dhuntitë e Tua, i pranoj mëkatet e mia, falmë mua, sepse nuk i fal mëkatet askush tjetër përveç Teje'' Kësisoj, së pari njeriu pohon njëshmërinë e Allahut të Madhëruar dhe se Allahu është krijuesi i tij dhe i adhuruari i tij pa asnjë ortak. Dhe se ai i përmbahet besëlidhjes së tij me Allahun në lidhje me besimin dhe adhurimin e Tij, sa të ketë mundësi. Sepse sado adhurime të kryejë njeriu, ai nuk mundet t'i kryejë të gjitha adhurimet për të cilat e ka urdhëruar Allahu dhe as ta falënderojë siç duhet Allahun për dhuntitë që i ka falur. Dhe se ai duhet të strehohet tek Allahu dhe të kërkojë mbrojtjen e Tij, ngase vetëm Ai e mbron njeriun nga e keqja që ka bërë. I pohon dhuntitë që Ai ia ka falur me dëshirë dhe i pranon mëkatet dhe gabimet që ka bërë duke fajësuar veten e tij. Pas këtij përgjërimi, ai i lutet Allahut që ta falë, duke ia mbuluar mëkatet dhe duke e shpëtuar atë nga e keqja e tyre me faljen, mirësinë dhe mëshirën e Tij, ngase vetëm Ai i fal mëkatet. Mandej, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se këto fjalë bëjnë pjesë te dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes. Kësisoj, ai që i thotë këto fjalë me bindje, besim dhe meditim mbi domethënien e tyre, në fillim të ditës, që është nga koha e lindjes së diellit e deri në perëndimin e tij, dhe vdes, hyn në Xhenet. E ai që i thotë ato natën, që është nga koha e perëndimit të diellit e deri kur të agojë, nëse vdes para se të agojë, hyn në Xhenet.

Dobitë

  • Versionet e istigfarit janë të ndryshme dhe disa nga ato janë më të mira se të tjerat.
  • Njeriu duhet të përpiqet që t'i lutet Allahut me këtë dua, sepse ajo përmban zotërinë e istigfarit (pendimit).

Lexo në HadeethEnc.com

2 Një herë

رَبِّ اغْفِرْ لِي خَطِيئَتِي وَجَهْلِي، وَإِسْرَافِي فِي أَمْرِي كُلِّهِ، وَمَا أَنْتَ أَعْلَمُ بِهِ مِنِّي، اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي خَطَايَايَ، وَعَمْدِي وَجَهْلِي وَهَزْلِي، وَكُلُّ ذَلِكَ عِنْدِي، اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي مَا قَدَّمْتُ وَمَا أَخَّرْتُ، وَمَا أَسْرَرْتُ وَمَا أَعْلَنْتُ، أَنْتَ المُقَدِّمُ وَأَنْتَ المُؤَخِّرُ، وَأَنْتَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Proofeti ﷺ lutej me këto fjalë: “Rabi gfir li hatieti ve xhehli, ve israfi fi emri kulihi, ve ma Ente alemu bihi mini! Allahumme, igfir li hatajaje ve amdi, ve xhehli ve xhiddi ve hezli, ve kul-lu dhalike indi! Allahumme, igfir li ma kaddemtu ve ma ahhartu, ve ma esrartu ve ma alentu; Entel mukadimu ve Entel muahhiru, ve Ente ala kul-li shejin kadir (Zoti im, falma mëkatin tim, paditurinë time, teprimin tim në çdo punë dhe atë që Ti e di më mirë se unë! O Allah, m'i fal gabimet e mia, ato që i bëj me qëllim, nga padituria ose ato që i bëj me shaka, se të gjitha gjenden tek unë! O Allah, m'i fal mëkatet e kaluara dhe të tashmet, të fshehurat dhe ato që i kam shfaqur! Ti je i Pari dhe i Fundit, Ti ke fuqi për çdo gjë)!”

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Një nga lutjet gjithëpërfshirëse të të Dërguarit të Allahut ﷺ ishte edhe kjo:

“O Zot, falma mëkatin tim, paditurinë time," dhe m'i fal gjërat që i kam bërë pa dituri.

"teprimin tim në çdo punë", mangësitë dhe tejkalimin e kufijve.

"dhe atë që Ti e di më mirë se unë!", pra, Ti o Allahu e di, e unë e kam harruar.

"O Allah, m'i fal gabimet e mia, ato që i bëj me qëllim", pra, ato që i bëj qëllimisht dhe i di se janë mëkate.

"ato që i bëj me seriozitet dhe shaka" dhe gjithçka që ka dalë nga shakaja dhe çdo gjë që kam thënë në të dyja gjendjet.

"se të gjitha gjenden tek unë!", që do të thotë se përfshin të gjitha ato që u përmendën nga mëkatet dhe të metat.

"O Allah, m'i fal mëkatet e kaluara", që i kam bërë më parë "dhe të tashmet", që do t'i bëj më pas.

"të fshehurat", që nuk i kam zbuluar "dhe ato që i kam shfaqur!", botërisht.

"Ti je i Pari dhe i Fundit", që e shtyn përpara atë që dëshiron nga krijesat e Tua drejt mëshirës Sate, duke i dhënë sukses drejt asaj që të kënaq Ty, dhe Ti e lë mbrapa atë që dëshiron prej tyre, duke e lënë të humbur. Askush nuk mund t'i shtyejë përpara gjërat që Ti i ke vonuar, sikundërqë askush nuk mund t'i vonojë ato që Ti e ke shtyrë përpara.

"Ti ke fuqi për çdo gjë", je i përsosur në fuqi, i plotë në vullnet, që bën gjithçka që dëshiron Vetë.

Dobitë

  • Vlera e kësaj lutjeje dhe kujdesi për të, duke pasuar shembullin e Profetit. ﷺ
  • Teprimi është i ndaluar dhe se ai që tepron është i ekspozuar ndaj ndëshkimit.
  • Allahu i Lartësuar e njeh njeriun më mirë se vetë ai që e njeh veten, prandaj ai duhet t'ia lërë çështjen e tij Allahut, sepse mund të gabojë pa e kuptuar.
  • Njeriu mund të merret në llogari për shakatë e tij, ashtu siç merret në llogari për seriozitetin e tij, prandaj duhet të jetë i kujdesshëm në shakatë që i bën.
  • Ibn Haxher Askalaniu ka thënë: "Nuk kam gjetur në asnjë prej transmetimeve vendin se kur thuhet kjo lutje me këtë tekst, por pjesa më e madhe e saj ka ndodhur... ai e thoshte atë në namazin e natës. Po ashtu, është transmetuar se ai e thoshte në fund të namazit. Ka mospajtime në transmetime nëse e thoshte para selamit apo pas tij? Të dyja këto janë transmetuar."
  • A gabonte Profeti ﷺ që të kërkonte falje? Është thënë se ai e thoshte këtë nga përulësia dhe për të ulur veten e tij, ose e konsideronte lënien e përsosmërisë dhe të veprës më të mirë, si akt mëkati. Gjithashtu, është thënë se ai e kishte për qëllim atë që mund të ndodhte nga harresa, ose ato që kishin ndodhur para profecisë. Disa thonë se istigfari (kërkimfalja) është një akt adhurimi që duhet kryer jo për kërkimfalje, por si formë e një akti të adhurimit. Po ashtu është thënë se kjo ishte një këshillë dhe mësim për umetin e tij, që të mos ndihen të sigurt dhe të mos e lënë istigfarin."

Lexo në HadeethEnc.com

3 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ transmeton nga Zoti i vet i Lartmadhërishëm dhe thotë: “Një njeri bëri një mëkat dhe tha: “O Allah, më fal mëkatin!” Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Robi Im bëri mëkat, por e diti se ka një Zot që fal mëkatet dhe dënon për to.” Pastaj bëri mëkat sërish dhe tha: “O Zot, më fal mëkatin!” Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Robi Im bëri mëkat, por e diti se ka një Zot që fal mëkatet dhe dënon për to." Pastaj bëri mëkat sërish dhe tha: “O Zot, më fal mëkatin!” Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Robi Im bëri mëkat, por e diti se ka një Zot që fal mëkatet dhe dënon për to. Bëj ç'të duash (përderisa kërkon falje pas çdo mëkati), se ta kam falur.”

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ transmeton nga Zoti i tij se, nëse njeriu bën mëkat dhe pastaj thotë: "O Allah, më fal mëkatin!", Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Robi Im bëri mëkat, por e diti se ka një Zot që fal mëkatet, i mbulon, i tejkalon ose dënon për to, e Unë e kam falur atë." Pastaj njeriu bëri mëkat përsëri dhe tha: "O Zot, më fal mëkatin!" Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Robi Im bëri mëkat, por e diti se ka një Zot që i fal mëkatet, i mbulon, i tejkalon ose dënon për to, e Unë e kam falur robin Tim." Sërish ky njeri bën mëkat dhe thotë: "O Zot, më fal mëkatin!" Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Robi Im bëri mëkat, por e diti se ka një Zot që i fal mëkatet, i mbulon, i tejkalon ose dënon për to, e Unë e kam falur robin Tim. Le të bëjë çfarë të dojë, përderisa sa herë që bën një mëkat, e braktis mëkatin dhe pendohet e vendos që të mos kthehet në të, por ja që atë e pushton vetja e kësisoj bie përsëri në mëkat, kështu që përderisa e bën këtë: mëkaton dhe pendohet, Unë do ta fal, sepse pendimi e shkatërron atë që ka ndodhur më herët."

Dobitë

  • Mëshira e gjerë e Allahut ndaj robërve të Tij dhe se çfarëdo mëkati të bëjë njeriu dhe çfarëdo që të veprojë, nëse pendohet dhe kthehet tek Ai, Allahu ia pranon pendimin.
  • Besimtari në Allahun e Lartësuar shpreson në faljen e Zotit të vet, i frikësohet dënimit të Tij, shpejton drejt pendimit dhe nuk vazhdon në mëkat.
  • Kushtet e pendimit të sinqertë janë: heqja dorë nga mëkati, keqardhja për të dhe vendosmëria për të mos u kthyer në mëkat. E, nëse pendimi është prej padrejtësive që ua ka shkaktuar njerëzve, që ndërlidhen me pasuri, nder ose shpirt, këtu shtohet kushti i katërt, që është: kërkimi i hallallëkut nga pronari i së drejtës ose dhënia e së drejtës së tij.
  • Rëndësia e njohjes së Allahut, gjë që e bën njeriun të vetëdijshëm për çështjet e fesë, kështu që pendohet sa herë që bën ndonjë mëkat, prandaj nuk dëshpërohet dhe nuk këmbëngul në gjynahe.

Lexo në HadeethEnc.com

4 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Allahu i Lartësuar thotë: “O bir i Ademit, sa herë që më lutesh e shpreson tek Unë, do të t'i fal ato që ke bërë dhe s'e kam dert. O bir i Ademit, nëse gjynahet e tua arrijnë kupën e qiellit, dhe pastaj më kërkon falje, Unë do të të fal dhe s'e kam dert. O bir i Ademit, nëse ti më vjen me gabime sa Toka, por më takon duke mos më shoqëruar asgjë në adhurim, Unë do të të vij me po aq falje.”

Transmeton Tirmidhiu Grada: Hasen

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith tregon se Allahu i Lartmadhëruar thotë në një hadith kudsij (hyjnor, të shenjtë): "O bir i Ademit, përderisa më lutesh dhe shpreson në mëshirën Time e nuk i humb shpresat, mëkatin do të ta mbuloj dhe do të ta fshij, pa e pasur dert, edhe sikur ky mëkat apo kjo mosbindje të jetë nga mëkatet e mëdha. O bir i Ademit, sikur mëkatet e tua të ishin aq të shumta, sa ta mbushnin hapësirën ndërmjet Qiellit dhe Tokës, duke i përfishirë dhe mbuluar të gjitha anët dhe cepat, pastaj të më kërkoje falje; Unë do të t'i fshija dhe do të t'i falja të gjitha, e nuk do të kisha asnjë gajle nëse do të ishin të shumta.

O bir i Ademit, sikur të më vije pas vdekjes me gjynahe dhe mëkate sa sipërfaqja e Tokës, e ndërkohë ke vdekur si monoteist, duke mos më shoqëruar asgjë; këto mëkate dhe gjynahe do t'i prisja me falje sa sipërfaqja e tokës. Kjo sepse falja Ime është e gjerë dhe Unë i fal të gjitha gjynahet, përveç shirkut (idhujtarisë).

Dobitë

  • Gjerësia e mëshirës, faljes dhe mirësisë së Allahut të Lartësuar.
  • Vlera e teuhidit (monoteizmit) dhe se Allahu ua fal monoteistëve, gjynahet dhe mosbindjet (nëse pendohen).
  • Rreziku i shirkut dhe se Allahu nuk i fal idhujtarët.
  • Ibën Rexhebi ka thënë: "Ky hadith përfshin tri arsyet që shërbejnë për faljen e mëkateve: 1. Lutja së bashku me shpresën. 2. Kërkimi i faljes dhe pendimi. 3. Vdekja si monoteist."
  • Ky hadith është nga ato thënie që Profeti ﷺ i transmeton nga Zoti i tij dhe quhet hadith i shenjtë (ar. kudsij) ose hyjnor; shprehja dhe kuptimi i tij janë nga Allahu, vetëm se nuk i ka karakteristikat e Kuranit, që e dallojnë atë nga çdo gjë tjetër, si: të bërët adhurim me leximin e tij, të qenët i pastër gjatë leximit, sfidimi (që të sjellin një të ngjashëm me të), paimitueshmëria etj.
  • Gjynahet ndahen në tri lloje: 1. Shirku (politeizmi) ndaj Allahut; këtë Allahu nuk e fal (nëse njeriu vdes pa u penduar). Allahu i Lartmadhëruar thotë: "Atij që i përshkruan Allahut shok (i bën shirk), Ai ia ka ndaluar Xhenetin." 2. Padrejtësia që robi ia bën vetes në raport me Zotin e tij, duke bërë gjynahe dhe mëkate; Allahu i Lartmadhëruar ia fal këtë dhe ia toleron, po deshi. 3. Gjynahet që Allahu nuk i lë pa shpagim, e këto janë padrejtësitë e robërve ndaj njëri-tjetrit. Këtu medoemos duhet të ketë shpagim.

Lexo në HadeethEnc.com

Pyetje

Çfarë ka në këtë faqe?

Lutja për falje: secili në arabisht, me kuptimin, hadithin nga vjen, gradën dhe një shpjegim.

Nga vijnë përkthimet?

Nga HadeethEnc.com, Enciklopedia e Haditheve Profetike të Përkthyera. Çdo hadith paraqitet saktësisht siç e botojnë ata, me burimin dhe gradën, dhe me lidhje te origjinali.

A mund të marr një kujtesë të përditshme?

Po. Aplikacioni falas Qabas për Android të kujton çdo ditë dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ka të njëjtin numërues.