Dhikri i mëngjesit (Ezkaret e mëngjesit) me kuptim

Dhikri që thuhet në mëngjes, pas namazit të sabahut, siç përcillet në hadithe të sakta.

1 3 herë

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ ﴿١﴾ اللَّهُ الصَّمَدُ ﴿٢﴾ لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ ﴿٣﴾ وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ ﴿٤﴾
قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ ﴿١﴾ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ ﴿٢﴾ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ ﴿٣﴾ وَمِن شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ ﴿٤﴾ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ ﴿٥﴾
قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاسِ ﴿١﴾ مَلِكِ النَّاسِ ﴿٢﴾ إِلَهِ النَّاسِ ﴿٣﴾ مِن شَرِّ الْوَسْوَاسِ الْخَنَّاسِ ﴿٤﴾ الَّذِي يُوَسْوِسُ فِي صُدُورِ النَّاسِ ﴿٥﴾ مِنَ الْجِنَّةِ وَالنَّاسِ ﴿٦﴾

Kuptimi dhe burimi

Nga Abdullah ibën Hubejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: "Një natë me shi dhe me erë të fortë, dolëm të kërkonim Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) që të na falte namazin. Kur e gjeta, më tha: 'Thuaj!' Por unë nuk thashë asgjë. Përsëri tha: 'Thuaj!' Por unë nuk thashë asgjë. Ai përsëri tha: 'Thuaj!' Kësaj here unë i thashë: 'Çfarë të them?' Ai tha: 'Kul huvallahu ehad dhe dy Mbrojtëset (Feleku dhe Nasi) në mëngjes dhe në mbrëmje nga tri herë, të mjaftojnë për çdo gjë".

Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu Grada: Sahih

Shpjegimi

Sahabiu i madh Abdullah ibën Hubejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ata dolën një natë në të cilën binte shi me rrebesh dhe frynte një erë e fortë për të kërkuar Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) që t'u falte namazin dhe kur e gjetën, Pejgamberi i tha atij: "Thuaj!" d.m.th. këndo! Por, ai nuk këndoi asgjë. Kur Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i përsëriti fjalët, Abdullahu i tha: "Çfarë të këndoj, o Pejgamber i Allahut?" Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i tha që të këndonte suren El-Ihlas, suret El-Felek dhe En-Nas në mbrëmje dhe në mëngjes nga tri herë, ngase ato të mbrojnë nga çdo e keqe dhe nga çdo ligësi.

Dobitë

  • Pëlqehet që suret El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas të këndohen në mëngjes dhe në mbrëmje, ngase ato të mbrojnë nga çdo gjë e keqe.
  • Vlera e këndimit të sureve El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas.

Lexo në HadeethEnc.com

2 Një herë

اللَّهُمَّ بِكَ أَصْبَحْنَا، وَبِكَ أَمْسَيْنَا، وَبِكَ نَحْيَا، وَبِكَ نَمُوتُ، وَإِلَيْكَ النُّشُورُ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ kur gdhihej thoshte: "All-llahumme bike asbahna ue bike emsejna ue bike nahja ue bike nemutu ue ilejken-nushur - O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin dhe me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim dhe tek Ti është ringjallja." Ndërsa kur ngrysej thoshte: "All-llahumme bike emsejna ue bike asbahna ue bike nahja ue bike nemutu ue ilejken-nushur - O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen dhe me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim dhe tek Ti është kthimi." E një herë tjerë ka thënë: "... ue ilejke el mesir - dhe tek Ti është kthimi."

رواه أبو داود والترمذي والنسائي في الكبرى وابن ماجه Grada: Hasen

Shpjegimi

Kur gdhihej, respektivisht kur hynte fillimi i ditës me lindjen e agimit (ar. fexhr), i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte:

"O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin", të mbështjellë me ruajtjen Tënde, të mbuluar nga mirësia Jote, të angazhuar me përmendjen Tënde, duke kërkuar ndihmën përmes emrit Tënd, të përfshirë në udhëzimin Tënd dhe duke vepruar me fuqinë dhe mundësinë Tënde. "... dhe me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim..." njëjtë siç u përmend më parë, por në mbrëmje të thotë: "O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen, me emrin Tënd, Jetëdhënësi, jetojmë dhe me emrin Tënd, Jetëmarrësi, vdesim." ... dhe tek Ti është ringjallja", domethënë kthimi pas vdekjes dhe shpërndarja pas bashkimit. Gjendja jonë vazhdon në këtë mënyrë në të gjitha kohët dhe rrethanat, pa u shkëputur dhe pa e braktisur atë.

Kur e zinte mbrëmja, që i bie nga pas ikindisë, thoshte: "O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen dhe me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim dhe tek Ti është kthimi." Domethënë, kthimi ynë në këtë botë dhe rikthimi ynë në botën tjetër janë tek Ti, sepse Ti je Ai që më jep jetë dhe më bën të vdes.

Dobitë

  • Është e pëlqyeshme të thuhet kjo lutje në mëngjes dhe në mbrëmje, duke ndjekur shembullin e Profetit ﷺ.
  • Njeriu ka nevojë për Zotin e tij në të gjitha gjendjet dhe kohët e tij.
  • Më e mira për thënien e dhikrit është në mëngjes. Është koha nga lindja e agimit deri në lindjen e diellit në fillim të ditës, dhe pas ikindisë deri para perëndimit të diellit. Nëse e thotë pas këtyre kohëve, pra, në mëngjes pas ngritjes së diellit, i llogaritet tamam. Po ashtu, nëse e thotë pas drekës, i llogaritet tamam, dhe po ashtu pas akshamit, i llogaritet tamam, meqë kjo është koha për dhikër.
  • Përshtatshmëria e këtij dhikri: "dhe tek Ti është ringjallja", që thuhet në mëngjes, qëndron në faktin se kjo e kujton njeriun për ringjalljen e madhe, kur njerëzit do të vdesin dhe do të ringjallen Ditën e Kiametit. Kjo është një ringjallje e re dhe një ditë e re, në të cilën shpirtrat kthehen, njerëzit përhapen dhe ky mëngjes i ri, që Allahu e krijoi, bëhet dëshmitar për birin e Ademit. Kështu që, koha dhe çastet janë depozita që ruajnë veprat tona.
  • Përshtatshmëria e këtij dhikri "dhe tek Ti është kthimi", për faktin që thuhet në mbrëmje, nënkupton se kur njerëzit kthehen nga punët e tyre dhe shpërndahen për nevojat dhe jetesën e tyre, ata rikthehen në shtëpitë e tyre dhe më pas pushojnë pas këtij angazhimi. Kjo e kujton njeriun për kthimin tek Allahu i Lartësuar, si destinacioni, përfundimi dhe vendqëndrimi i fundit.

Lexo në HadeethEnc.com

3 Një herë

اللَّهُمَّ أَنْتَ رَبِّي لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ خَلَقْتَنِي وَأَنَا عَبْدُكَ وَأَنَا عَلَى عَهْدِكَ وَوَعْدِكَ مَا اسْتَطَعْتُ أَعُوذُ بِكَ مِنْ شَرِّ مَا صَنَعْتُ أَبُوءُ لَكَ بِنِعْمَتِكَ عَلَيَّ وَأَبُوءُ لَكَ بِذَنْبِي فَاغْفِرْ لِي فَإِنَّهُ لَا يَغْفِرُ الذُّنُوبَ إِلَّا أَنْتَ

Kuptimi dhe burimi

Nga Sheddad ibën Eusi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Zotëria i istigfarit është të thuash: O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Ti më ke krijuar dhe unë jam robi yt, do të qëndroj besnik në marrëveshjen dhe premtimin Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar. Unë jam mirënjohës për dhuntitë e Tua, i pranoj mëkatet e mia, falmë mua, sepse nuk i fal mëkatet askush tjetër përveç Teje.'' Kush e thotë këtë gjatë ditës, duke qenë i bindur në të dhe vdes atë ditë para se të ngryset, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit. E kush e thotë këtë natën, duke qenë i bindur në të dhe vdes para se të gdhijë, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit".

Transmeton Buhariu Grada: Sahih

Shpjegimi

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se istigfari (pendimi) ka versione të ndryshme dhe se versioni më i mirë dhe më madhështor është që njeriu të thotë: "O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Ti më ke krijuar dhe unë jam robi yt, do të qëndroj besnik në marrëveshjen dhe premtimin Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që e kam vepruar. Unë jam mirënjohës për dhuntitë e Tua, i pranoj mëkatet e mia, falmë mua, sepse nuk i fal mëkatet askush tjetër përveç Teje'' Kësisoj, së pari njeriu pohon njëshmërinë e Allahut të Madhëruar dhe se Allahu është krijuesi i tij dhe i adhuruari i tij pa asnjë ortak. Dhe se ai i përmbahet besëlidhjes së tij me Allahun në lidhje me besimin dhe adhurimin e Tij, sa të ketë mundësi. Sepse sado adhurime të kryejë njeriu, ai nuk mundet t'i kryejë të gjitha adhurimet për të cilat e ka urdhëruar Allahu dhe as ta falënderojë siç duhet Allahun për dhuntitë që i ka falur. Dhe se ai duhet të strehohet tek Allahu dhe të kërkojë mbrojtjen e Tij, ngase vetëm Ai e mbron njeriun nga e keqja që ka bërë. I pohon dhuntitë që Ai ia ka falur me dëshirë dhe i pranon mëkatet dhe gabimet që ka bërë duke fajësuar veten e tij. Pas këtij përgjërimi, ai i lutet Allahut që ta falë, duke ia mbuluar mëkatet dhe duke e shpëtuar atë nga e keqja e tyre me faljen, mirësinë dhe mëshirën e Tij, ngase vetëm Ai i fal mëkatet. Mandej, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se këto fjalë bëjnë pjesë te dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes. Kësisoj, ai që i thotë këto fjalë me bindje, besim dhe meditim mbi domethënien e tyre, në fillim të ditës, që është nga koha e lindjes së diellit e deri në perëndimin e tij, dhe vdes, hyn në Xhenet. E ai që i thotë ato natën, që është nga koha e perëndimit të diellit e deri kur të agojë, nëse vdes para se të agojë, hyn në Xhenet.

Dobitë

  • Versionet e istigfarit janë të ndryshme dhe disa nga ato janë më të mira se të tjerat.
  • Njeriu duhet të përpiqet që t'i lutet Allahut me këtë dua, sepse ajo përmban zotërinë e istigfarit (pendimit).

Lexo në HadeethEnc.com

4 3 herë

بِسْمِ اللَّهِ الَّذِي لَا يَضُرُّ مَعَ اسْمِهِ شَيْءٌ فِي الْأَرْضِ وَلَا فِي السَّمَاءِ وَهُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

Kuptimi dhe burimi

Eban ibën Othmani transmeton se e ka dëgjuar Othman ibën Afanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: "Atë që thotë: 'Bismil-lahi el-ledhi la jedurru measmihi shejun filardi ua la fis-semai ue huves-semiul alim, - Me emrin e Allahut, me të cilin asgjë nuk mund të dëmtojë në tokë dhe në qiell, dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri", tri herë, nuk do ta godasë ndonjë fatkeqësi e papritur deri në mëngjes. Gjithashtu atë që e thotë këtë në mëngjes tri herë, nuk do ta godasë ndonjë fatkeqësi e papritur deri në mbrëmje." Eban ibën Othmanin e godit paraliza, kësisoj njeriu që e kishte dëgjuar këtë hadith prej tij e shikoi (me habi). Atëherë Ebani i tha: "Pse më shikon ashtu? Pasha Allahun, nuk kam gënjyer për Othmanin dhe as Othmani nuk ka gënjyer për Profetin ﷺ, por ditën kur më goditi kjo që më goditi, isha i zemëruar dhe e harrova ta thosha këtë lutje."

Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu në “Es-Sunen el-kubra”, Ibn Maxhe dhe Ahmedi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ ka sqaruar se kush thotë çdo mëngjes pas lindjes së agimit dhe çdo mbrëmje para perëndimit të diellit, tri herë: "Bismil-lah, - Me emrin e Allahut'' kërkoj ndihmë dhe mbrohem nga çdo gjë që mund të dëmtojë. " me të cilin asgjë nuk mund të dëmtojë", pra, kur të përmendet emri i Tij asgjë nuk mund të të dëmtojë, sado e madhe qoftë ajo "në tokë" apo që del jashtë saj nga fatkeqësitë, qoftë "në qiell", apo nga fatkeqësitë që zbresin prej tij. "Ai është Gjithëdëgjuesi" i fjalëve tona dhe "i Gjithëdituri" për gjendjen tonë (të tillin nuk e godet gjë).

Atë që e thotë këtë lutje në mbrëmje, nuk do ta godasë fatkeqësia papritur deri në mëngjes, sikurse atë që e thotë atë në mëngjes, nuk do ta godasë fatkeqësia papritur deri në mbrëmje.

Transmetuesi i hadithit, Eban ibn Othmani u godit nga paraliza (në njërën anë të trupit). Njeriu që e kishte dëgjuar hadithin prej tij e shikonte me habi! Atëherë Ebani i tha: "Pse më shikon kështu?! Pasha Allahun, unë nuk kam gënjyer për Othmanin dhe as Othmani nuk ka gënjyer për Profetin ﷺ. Por atë ditë kur më goditi kjo sëmundje, Allahu nuk kishte caktuar që ta thosha këtë lutje. Më kishte kapluar zemërimi dhe e harrova t’i shqiptoja këto fjalë të përmendura (në këtë lutje)."

Dobitë

  • Pëlqehet të thuhet ky dhikër në mëngjes dhe në mbrëmje, që njeriu të jetë i mbrojtur, me lejen e Allahut të Lartësuar, nga fatkeqësitë e papritura, dëmet apo sprovat e ngjashme.
  • Bindja e fortë e gjeneratave të para të Islamit ndaj Allahut dhe besimi i tyre i plotë në atë që ka njoftuar i Dërguari i Allahut ﷺ.
  • Një nga përfitimet e kufizimit të dhikrit në mëngjes dhe mbrëmje është këputja e shkujdesjes për muslimanin dhe kujdesi i tij i vazhdueshëm se ai është rob i Allahut të Lartësuar.
  • Në përpjestim me besimin e atij që e përmend Allahun, përulësinë, praninë e zemrës, sinqeritetin dhe bindjen, do të realizohet ndikimi i dhikrit.

Lexo në HadeethEnc.com

5 Një herë

اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الْعَفْوَ وَالْعَافِيَةَ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ، اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الْعَفْوَ وَالْعَافِيَةَ فِي دِينِي وَدُنْيَايَ وَأَهْلِي وَمَالِي، اللَّهُمَّ اسْتُرْ عَوْرَاتِي، وَآمِنْ رَوْعَاتِي، اللَّهُمَّ احْفَظْنِي مِنْ بَيْنِ يَدَيَّ، وَمِنْ خَلْفِي، وَعَنْ يَمِينِي، وَعَنْ شِمَالِي، وَمِنْ فَوْقِي، وَأَعُوذُ بِعَظَمَتِكَ أَنْ أُغْتَالَ مِنْ تَحْتِي

Kuptimi dhe burimi

Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqu me të dy!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk i linte këto lutje kur gdhihej dhe kur ngrysej: "All-llãhumme innĩ es’elukel ‘ãfijete fid-dun’jã wel ãḣirah, All-llãhumme innĩ es’elukel ‘afwe wel ‘ãfijete fĩ dĩnĩ we dun’jãje we ehlĩ we mãlĩ, All-llãhummestur ‘awrãtĩ, we ãmin raw’ãtĩ. All-llãhumme iḥfeḍhnĩ min bejni jedejje, we min ḣalfĩ, we ‘an jemĩnĩ we ‘an shimãlĩ, we min fewḳĩ, we e’ũdhu bi aḍhametike en uġtãle min taḥtĩ - O Allah! Të kërkoj të më ruash nga çdo e keqe në këtë botë dhe në botën tjetër. O Allah! Të lutem të më falësh dhe të më ruash nga të këqijat e të metat në fenë time, në jetën time të këtushme, në familjen time dhe në pasurinë time. O Allah! M’i mbulo të metat dhe më qetëso nga gjërat frikësuese. O Allah! Më ruaj nga para dhe nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta, si dhe nga lart. Mbrohem me madhërinë Tënde, që të mos më përpijë toka nga poshtë!"

Transmeton Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi Grada: Sahih

Shpjegimi

I Dërguari i Allahut ﷺ nuk i linte këto lutje kur gdhihej dhe kur ngrysej:

"O Allah! Të kërkoj të më ruash nga çdo e keqe" dhe të më shpëtosh nga sëmundjet, fatkeqësitë dhe vështirësitë e kësaj bote, si dhe nga dëshirat dhe sprovat që kanë të bëjnë me fenë "në këtë botë dhe në botën tjetër", qofshin ato të menjëhershme apo të ardhshme."

"O Allah! Të lutem të më falësh", të m'i shlyesh mëkatet dhe të m'i tejkalon ato, "...dhe të më ruash" dhe të më shpëtosh nga të metat "...në fenë time", qofshin shirk (idhujtari), bidate (risi në fe) apo mëkate, dhe "në jetën time të këtushme", nga fatkeqësitë, lëndimet dhe të këqijat, dhe "në familjen time", gruan, fëmijët dhe të afërmit e mi, "dhe në pasurinë time", që e zotëroj dhe në punët e mia.

"O Allah! M’i mbulo të metat" dhe çfarëdo të metash, defekte dhe mangësish që kam, shlyeji mëkatet e mia, "...dhe më qetëso nga gjërat frikësuese", si paniku e të ngjashme.

"O Allah! Më ruaj" dhe largoji nga unë fatkeqësitë, mundimet dhe sprovimet. "...nga para dhe nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta, si dhe nga lart." Profeti ﷺ e luti Allahun ta ruajë nga të gjitha drejtimet, sepse sprovimet dhe dëmet i afrohen njeriut nga këto drejtime.

"Mbrohem me madhërinë Tënde, që të mos më përpijë toka", ose të kapem e të ndëshkohem befasisht, "...nga poshtë!", dhe të shkatërrohem me shembje.

Dobitë

  • Përkujdesja për këto fjalë, duke e ndjekur kështu Profetin ﷺ."
  • Njeriu, ashtu siç është urdhëruar të kërkojë nga Allahu që ta ruajë në fe, ashtu është urdhëruar të kërkojë edhe në këtë botë.
  • Tibiu ka thënë: "(Kjo lutje) ka përfshirë gjashtë drejtimet, sepse të këqijat vijnë prej tyre, si dhe ka theksuar posaçërisht drejtimin e poshtëm për shkak se të këqijat vijnë prej tij."
  • Më e mira për thënien e dhikrit është në mëngjes. Është koha nga lindja e agimit deri në lindjen e diellit në fillim të ditës, dhe pas ikindisë deri para perëndimit të diellit. Nëse e thotë pas këtyre kohëve, pra, në mëngjes pas ngritjes së diellit, i llogaritet tamam. Po ashtu, nëse e thotë pas drekës, i llogaritet tamam, dhe po ashtu pas akshamit, i llogaritet tamam, meqë kjo është koha për dhikër.
  • Nëse argumenti tregon se dhikri ka kohë të caktuar gjatë natës, siç është leximi i dy ajeteve të fundit të surës el-Bekare, atëherë ato lexohen natën, që pas perëndimit të diellit.

Lexo në HadeethEnc.com

6 3 herë

سُبْحَانَ اللَّهِ وَبِحَمْدِهِ: عَدَدَ خَلْقِهِ، وَرِضَا نَفْسِهِ، وَزِنَةَ عَرْشِهِ، وَمِدَادَ كَلِمَاتِهِ

Kuptimi dhe burimi

Xhuvejria, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ doli prej shtëpisë së saj herët në mëngjes, pasi e kishte falur sabahun, ndërsa ajo po rrinte aty ku ishte falur. Dikur, gjatë paradites, ai u kthye dhe e gjeti atë ulur, andaj i tha: “Ende qenke ashtu si të lashë?” Ajo iu përgjigj: “Po.” Atëherë Profeti ﷺ i tha: “Pasi jam ndarë prej teje, i kam thënë tri herë katër fjalë, të cilat, sikur të peshoheshin me ato që ke thënë ti sot, do të vinin më të rënda (ato janë): “Subhanallahi ve bihamdihi, adede halkihi, ve rida nefsihi, ve zinete arshihi ve midade kelimatihi (I lartësuar dhe i lëvduar qoftë Allahu, aq sa është numri i krijesave të Tij, aq sa Ai është i kënaqur, aq sa peshon Arshi i Tij dhe aq sa janë të shumta e të pafundme Fjalët e Tij).”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ doli herët në mëngjes nga shtëpia e bashkëshortes së tij Xhuvejrijes, nënës së besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pasi e kishte falur namazin e sabahut, ndërkohë që ajo ishte e ulur në vendin e saj ku ishte falur. Pastaj ai u kthye pas mesditës, në kohën e duhasë, ndërsa ajo ende ndodhej në të njëjtin vend. Atëherë ai i tha: A je ende në gjendjen në të cilën të lashë? Ajo u përgjigj: ''Po!'' Profeti ﷺ tha: Pas teje kam thënë katër fjalë, të cilat i kam përsëritur tri herë. Po të krahasoheshin për nga shpërblimi me gjithë atë që ke thënë ti, gjatë gjithë kohës që ke qëndruar ulur, do të peshonin më rëndë se ato. (Subhanallah - i Lartësuar) dhe i pastër nga çdo mangësi është Allahuu (ve bihamdihi - dhe i lavdëruar qoftë). Pra, Atij i takon lavdërimi i bukur, që të ka udhëzuar drejt kësaj, (adede halkihi - aq sa është numri i krijesave të Tij), të cilin nuk mund ta numërojë askush përveç Allahut, (ve rida nefsihi - aq sa Ai është i kënaqur), aq sa e kënaq Atë me ata prej robërve të Tij, me të cilët Ai është i kënaqur; diçka që nuk mund të përfshihet, (ve zinete arshihi - aq sa peshon Arshi i Tij), që është krijesa më e madhe dhe më e rëndë, (ve midade kelimatihi - dhe aq sa janë të shumta e të pafundme Fjalët e Tij). Fjalët e Allahut janë të panumërta dhe të pafundme. Kjo përfshin dhe përmbledh këto tri aspekte, pasi boja e fjalëve të Tij, i Lartësuar qoftë Ai, është e pakufishme në shtrirje, përshkrim dhe numër. Megjithatë, qëllimi këtu është të theksohet bollëku i madh. Fillimisht përmendet një masë e numërueshme: numri i krijesave të Tij. Pastaj kalon në diçka edhe më të madhe, e shprehur si “Kënaqësia e Tij”. Më pas, përmendet pesha e krijesës më të madhe, Arshi (Froni hyjnor). E para lidhet me numrin dhe sasinë, e dyta me përshkrimin dhe cilësinë, ndërsa e treta me madhështinë dhe peshën.

Dobitë

  • Sqarimi i vlerës së këtyre fjalëve dhe inkurajimi për t’i thënë ato.
  • Format e dhikrit (përmendjes së Allahut) ndryshojnë në vlerë, pasi disa forma janë më të mira se të tjerat.
  • Neveviu teksa e komenton fjalën e Profetit ﷺ: "I lartësuar dhe i lëvduar qoftë Allahu, aq sa është numri i krijesave të Tij", thotë: "Qëllimi këtu është të theksohet bollëku. Së pari përmendet ajo që mund të përfshihet nga një numër i madh: numri i krijesave, pastaj pesha e Arshit. Më pas ngrihet në diçka edhe më të madhe, e shprehur me këtë shprehje, që do të thotë diçka që nuk mund të numërohet, ashtu siç nuk mund të numërohen fjalët e Tij."
  • Ibn Kajimi ka thënë: "Ajo që lind në zemrën e atij që e përmend Allahun duke thënë: “I lartësuar dhe i lëvduar qoftë Allahu, aq sa është numri i krijesave të Tij,...” - prej njohjes, madhërimit dhe lartësimit të Allahut në këtë përmasë të caktuar - është më e madhe se ajo që lind në zemrën e atij që thotë vetëm: “Subhanallah”."
  • Udhëzim drejt shprehjeve përmbledhëse që përmbajnë pak fjalë, por ngërthejnë në vete mirësi dhe shpërblime të mëdha.

Lexo në HadeethEnc.com

7 10 herë

لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ، لَهُ الْمُلْكُ وَلَهُ الْحَمْدُ، وَهُوَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Ejubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Atij që thotë dhjetë herë: "La ilahe ilallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin kadir (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdi, Ai ka fuqi për çdo gjë)", i llogaritet sikur t'i ketë liruar katër robër nga pasardhësit e Ismailit.”

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ na ka treguar në këtë hadith se kush thotë: "La ilahe ilallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin kadir", kuptimi i së cilës është: Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit e pa ortak, dhe se Ai, i Lartësuari, është Ai që ka sundim të plotë, Ai që është i denjë për falënderim dhe lavdërim, duke ia bashkëngjitur kësaj dashurinë dhe madhërimin, e jo dikujt tjetër, si dhe Ai është i Plotfuqishëm dhe asgjë nuk është e pamundur për Të. Kushdo që e përsërit këtë dhikër madhështor dhjetë herë në ditë, do të marrë shpërblim të ngjashëm me shpërblimin e atij që ua hoqi robërinë katër robërve nga pasardhësit e Ismailit, të birit të Ibrahimit (alejhima selam). I veçoi pasardhësit e Ismailit (alejhi selam), sepse janë më të nderuar se të tjerët.

Dobitë

  • Vlera e këtij dhikri, sepse përfshin veçimin e Allahut të Lartësuar me adhurim, sundim, lavdërim dhe fuqi të plotë.
  • Ky shpërblim arrihet për këdo që e thotë gjatë ditës, qoftë rresht, qoftë veçmas.

Lexo në HadeethEnc.com

8 100 herë

سُبْحَانَ اللَّهِ وَبِحَمْدِهِ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Atij që thotë: "Subhanallahi ve bihamdihi (I patëmeta është Allahu dhe lavdërimi i takon Atij)", njëqind herë në ditë, i fshihen mëkatet, edhe në qofshin sa shkuma e detit."

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregon se, atij që thotë: "Subhanallahi ve bihamdihi (I patëmeta është Allahu dhe lavdërimi i takon Atij)", njëqind herë në ditë, i fshihen mëkatet, edhe në qofshin sa shkuma e detit, kur valëzohet dhe shpërthen.

Dobitë

  • Ky shpërblim arrihet për këdo që e thotë gjatë ditës, qoftë ngjitur, qoftë ndaras.
  • Tesbihu nënkupton dëlirjen e Allahut nga mangësitë, ndërsa hamdi nënkupton përshkrimin e Allahut me përsosuri, duke ia bashkëngjitur kësaj dashurinë dhe madhërimin.
  • Ajo që nënkuptohet në këtë hadith është shlyerja e mëkateve të vogla. Sa u përket mëkateve të mëdha, për to duhet pendim.

Lexo në HadeethEnc.com

Pyetje

Çfarë ka në këtë faqe?

Dhikri i mëngjesit: secili në arabisht, me kuptimin, hadithin nga vjen, gradën dhe një shpjegim.

Nga vijnë përkthimet?

Nga HadeethEnc.com, Enciklopedia e Haditheve Profetike të Përkthyera. Çdo hadith paraqitet saktësisht siç e botojnë ata, me burimin dhe gradën, dhe me lidhje te origjinali.

Si funksionon numëruesi?

Prek numëruesin nën një dhikr dhe ai numëron mbrapsht deri në zero. Ai është vetëm në këtë faqe dhe nuk ruhet asgjë.

A mund të marr një kujtesë të përditshme?

Po. Aplikacioni falas Qabas për Android të kujton çdo ditë dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ka të njëjtin numërues.