Kur pranohet lutja? Kohët dhe shkaqet

Kohët dhe gjendjet në të cilat shpresohet më shumë që lutja të pranohet.

1 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Robi është më së afërti me Zotin e tij kur ndodhet në sexhde, prandaj shpeshtoni lutjet (në të)."

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ sqaron se robi është më së afërti me Zotin e tij kur ndodhet në sexhde. Kjo, se, kur njeriu bie në sexhde, pjesët më fisnike të trupit i vendos në tokë, duke qenë i nënshtruar, i përulur dhe modest para Allahut të Lartmadhëruar.

Profeti ﷺ urdhëroi që lutjet të shtohen gjatë sexhdes, kështu që në këtë gjendje bëhen bashkë përulja para Allahut me fjalë dhe me vepër.

Dobitë

  • Adhurimi i shton robit afrimin me Allahun e Lartmadhëruar.
  • Është e rekomanduar që gjatë sexhdes të shpeshtohen lutjet, sepse është vend ku lutjet pranohen.

Lexo në HadeethEnc.com

2 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Umame tregon se Amër ibën Abese (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: "Zoti është më afër robit në mes të natës, kështu që, nëse mund të jesh ndër ata që e përmendin Allahun në atë orë, bëje."

Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregon se Zoti i Lartësuar është më afër robit në të tretën e fundit të natës. Andaj, nëse të jepet sukses dhe ke mundësi, o besimtar, që të jesh në mesin e atyre që e adhurojnë, falen, përmendin Allahun dhe pendohen në këtë kohë, atëherë kjo është diçka që duhet ta shfytëzosh dhe të derdhësh mund për të.

Dobitë

  • Inkurajimi i muslimanit që ta përmendë Allahun në fund të natës.
  • Kohët dallojnë nga njëra-tjera sa i përket përmendjes së Allahut, lutjes dhe namazit.
  • Mejraku thotë: "Dallimi mes hadithit: “Zoti është më afër robit” dhe hadithit: “Robi është më afër me Zotin e tij teksa është në sexhde”, është: "Sa i përket të parit, qëllimi është që të sqarohet koha kur Zoti është më afër robit, e që është mesi i natës, ndërsa i dyti i sqaron gjendjet e afërsisë së robit me Zotin, që është kur ai bën sexhden.

Lexo në HadeethEnc.com

3 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Lutja që bëhet në mes të ezanit dhe të ikametit nuk refuzohet."

Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu Grada: Sahih

Shpjegimi

Pejgamberi ﷺ në këtë hadith ka sqaruar vlerën e lutjes midis ezanit dhe ikametit, duke theksuar se ajo nuk refuzohet dhe është shumë e mundshme të pranohet. Prandaj, lutjuni Allahut në atë kohë.

Dobitë

  • Vlera e kësaj kohe për lutje.
  • Nëse lutësi përmbahet ndaj edukatës gjatë lutjes, zgjedh momentet dhe vendet e saj me vlerë, largohet nga mëkatet, ruan veten nga rënia në gjëra të dyshimta dhe ka mendim të mirë për Allahun, atëherë është e mundshme që t’i pranohet lutja, me lejen e Allahut.
  • Munaviu ka thënë për pranimin e lutjes: “Domethënë, pasi të plotësohen kushtet, shtyllat dhe edukata gjatë lutjes. Nëse ndonjë prej tyre mungon, atëherë le të fajësojë vetëm veten e tij.”
  • Pranimi i lutjes nënkupton: Ose lutja e tij i plotësohet menjëherë, ose largohet prej tij një e keqe e barasvlershme me të, ose ruhet për të në botën tjetër; e gjitha kjo sipas urtësisë dhe mëshirës së Allahut.

Lexo në HadeethEnc.com

4 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Numan ibën Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: "Lutja është vetë adhurimi." Pastaj e lexoi (ajetin): "Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!" (Gafir, 60)

Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, ibn Maxhe dhe Ahmedi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregon se lutja është vetë adhurimi, prandaj duhet të jetë e gjitha e sinqertë ndaj Allahut, qoftë kjo (1) lutje kërkesë, pra, ta lusë Allahun e Lartësuar për gjërat që do t'i bëjnë dobi dhe ta lusë që t'ia largojë atë që e dëmton në këtë botë dhe në botën tjetër; qoftë (2) lutje adhurimi, e cila nënkupton gjithçka që Allahu e do dhe është i kënaqur, qoftë fjalë, qoftë vepër, e jashtme apo e brendshme. Adhurimet janë të zemrës, të trupit dhe që kanë të bëjnë me pasurinë.

Më pas Profeti ﷺ për këtë çështje u argumentua me këtë ajet kuranor, ku Allahu thotë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!”

Dobitë

  • Lutja është themeli i adhurimit dhe si e tillë nuk lejohet t'i kushtohet dikujt tjetër pos Allahut.
  • Lutja ngërthen në vete realitetin e robërimit (ndaj Allahut), pohimin se Allahu i Lartësuar është i panevojë (për ndokënd) e është i Fuqishëm dhe se robi është nevojtar për Të.
  • Kërcënimi i ashpër (i përmendur në ajet) është dënimi për faktin se u treguan mendjemëdhenj ndaj adhurimit të Allahut dhe e lanë anash lutjen drejtuar Atij. Ata që janë mendjemëdhenj e nuk e lusin Allahun, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar dhe të përçmuar.

Lexo në HadeethEnc.com

5 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: "Nuk ka asgjë më fisnike për Allahun sesa lutja."

Transmetojnë Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi Grada: Hasen

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith sqaron se nuk ka adhurim më të mirë tek Allahu i Lartësuar sesa lutja, sepse ngërthen në vete pohimin se Allahu i Lartmadhëruar është i Vetëmjaftueshëm dhe pohimin se robi është i paaftë e i varfër për Allahun.

Dobitë

  • Vlera e lutjes dhe se kushdo që e lut Allahun, e madhëron Atë dhe e pranon se Ai është i Vetëmjaftueshëm, sepse nuk i lutemi të varfrit. Ai është Gjithëdëgjues, e nuk i lutemi të shurdhrit. Ai është Bujar, e nuk i lutemi koprracit. Ai është i Gjithëmëshirshëm, e nuk i lutemi të vrazhdit. Ai është i Fuqishëm, e nuk i lutemi të pafuqishmit. Ai është afër, e i largëti nuk dëgjon, si dhe cilësi të tjera të madhërueshme e të bukura të Allahut të Lartmadhëruar.

Lexo në HadeethEnc.com

6 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vërtet Allahu është i Mirë dhe pranon vetëm atë që është e mirë. Ai u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve, duke thënë: “O të dërguar! Hani të lejuarat dhe bëni vepra të mira!” (Kuran, 23:51) Si dhe: “O besimtarë! Hani ushqimet e lejuara që jua kemi dhënë.” (Kuran, 2:172) Pastaj, (Profeti) përmendi një njeri që kishte udhëtuar gjatë, flokëshprishur e i pluhurosur, kishte ngritur duart lart duke thënë: 'O Zot! O Zot!' Ndërkohë, ushqimi i tij ishte haram, pija e tij ishte haram, veshja e tij ishte haram, ishte ushqyer me haram! E si t'i pranohet lutja?!”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se Allahu është i pastër dhe i shenjtë, i paprekshëm nga mangësitë dhe të metat dhe se Ai posedon cilësitë e përsosura. Ai pranon vetëm veprat, fjalët dhe bindjet që janë të pastra, respektivisht që janë të sinqerta për Allahun dhe në përputhje me udhëzimin e Profetit ﷺ. Nuk duhet të afrohemi tek Allahu me diçka tjetër përveç kësaj. Ndër gjërat më të rëndësishme që e bëjnë veprën e një besimtari të mirë është ushqimi i tij i pastër dhe hallall. Kjo bën që vepra e tij të jetë e pranuar. Për këtë arsye, Allahu i ka urdhëruar besimtarët me të njëjtën gjë që ka urdhëruar të dërguarit: për të ngrënë hallall dhe për të bërë vepra të mira. Ai ka thënë: "O të dërguar! Hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!" (El Muminun, 51) Po ashtu ka thënë: "O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që jua kemi dhuruar." (El Bekare, 172)

Pastaj, Profeti ﷺ paralajmëroi kundër ngrënies së haramit, e cila e prish veprën dhe pengon pranimin e saj, sado që të përpiqet njeriu të plotësojë shkaqet e dukshme për pranimin e veprës, siç janë:

Së pari: udhëtimi i gjatë për akte adhurimi, si: haxhillëku, xhihadi, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe të tjera të ngjashme.

Së dyti: flokët e shprishur nga moskrehja, ndryshimi i ngjyrës së tij dhe i rrobave të tij nga pluhuri, pra, ai gjendet në një situatë të rënduar dhe të mjeruar.

Së treti: ngre duart drejt qiellit duke bërë lutje.

Së katërti: i drejtohet Allahut duke e lutur përmes emrave të Tij dhe ngulmon në këtë: “O Zot! O Zot!”

Megjithëse i ka plotësuar këto shkaqe për pranimin e lutjes, lutja e tij nuk merr përgigje. Kjo, sepse ushqimi, pija dhe veshja e tij ishin nga harami, si dhe ishte ushqyer me haram. Prandaj, është e largët që t’i pranohet lutja dikujt që është në këtë gjendje. E si mund t’i pranohet?!

Dobitë

  • Allahut i Lartësuar është i përsosur në Qenien - Veten e Tij, cilësitë, veprimet dhe në gjykimet e Tij.
  • Urdhri për ta bërë veprën sinqerisht për Allahun e Lartmadhëruar dhe për ta ndjekur Profetin ﷺ.
  • Përdorimi i shprehjeve që nxisin për veprim, pasi Profeti ﷺ ka thënë: "Allahu i urdhëroi besimtarët për atë që i urdhëroi pejgamberët." Kur besimtari e di se kjo është nga gjërat që u janë urdhëruar të dërguarve, ai motivohet dhe nxitet për t’iu bindur Allahut të Lartësuar.
  • Prej pengesave të pranimit të lutjes është ngrënia e haramit.
  • Prej shkaqeve të pranimit të lutjes janë pesë gjëra: 1. Udhëtimi i gjatë, i cili bën që njeriu të jetë i përulur, e që është një nga shkaqet më të mëdha të pranimit të lutjes, 2. Gjendja e vështirë, 3. Ngritja e duarve drejt qiellit, 4. Lutja drejtuar Allahut me ngulm, duke e përmendur vazhdimisht frazën: "O Zot!", që është një nga shkaqet më të fuqishme për pranimin e lutjes, 5. Ngrënia dhe pirja e produkteve të pastra.
  • Ngrënia e ushqimit hallall dhe të pastër është një nga shkaqet që ndihmojnë në kryerjen e veprave të mira.
  • Kadi Ijadi ka thënë: "Shprehja: "i pastër - i mirë" është antonim i shprehjes "i pistë-i lig", prandaj, kur i atribuohet Allahut, me të nënkuptohet se Ai është i pastër nga mangësitë dhe i shenjtëruar nga ligësitë. Kur një gjë e tillë i atribuohet njeriut, me të nënkuptohet se ai është i pastër nga morali i keq e nga veset e liga, dhe është i zbukuruar me të kundërtat e tyre. Kur i atribuohet pasurisë, me të nënkuptohet se ajo është e pastër dhe prej pasurive më të mira."

Lexo në HadeethEnc.com

Pyetje

Çfarë ka në këtë faqe?

Kur pranohet lutja: secili në arabisht, me kuptimin, hadithin nga vjen, gradën dhe një shpjegim.

Nga vijnë përkthimet?

Nga HadeethEnc.com, Enciklopedia e Haditheve Profetike të Përkthyera. Çdo hadith paraqitet saktësisht siç e botojnë ata, me burimin dhe gradën, dhe me lidhje te origjinali.

A mund të marr një kujtesë të përditshme?

Po. Aplikacioni falas Qabas për Android të kujton çdo ditë dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ka të njëjtin numërues.