Mësimi 3 nga 4
Si duhet të flasë muslimani dhe si t'i trajtojë fqinjët?
Nga Kurani
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَا يَسۡخَرۡ قَوۡمٞ مِّن قَوۡمٍ عَسَىٰٓ أَن يَكُونُواْ خَيۡرٗا مِّنۡهُمۡ وَلَا نِسَآءٞ مِّن نِّسَآءٍ عَسَىٰٓ أَن يَكُنَّ خَيۡرٗا مِّنۡهُنَّۖ وَلَا تَلۡمِزُوٓاْ أَنفُسَكُمۡ وَلَا تَنَابَزُواْ بِٱلۡأَلۡقَٰبِۖ بِئۡسَ ٱلِٱسۡمُ ٱلۡفُسُوقُ بَعۡدَ ٱلۡإِيمَٰنِۚ وَمَن لَّمۡ يَتُبۡ فَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلظَّٰلِمُونَ ﴿١١﴾ يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱجۡتَنِبُواْ كَثِيرٗا مِّنَ ٱلظَّنِّ إِنَّ بَعۡضَ ٱلظَّنِّ إِثۡمٞۖ وَلَا تَجَسَّسُواْ وَلَا يَغۡتَب بَّعۡضُكُم بَعۡضًاۚ أَيُحِبُّ أَحَدُكُمۡ أَن يَأۡكُلَ لَحۡمَ أَخِيهِ مَيۡتٗا فَكَرِهۡتُمُوهُۚ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَۚ إِنَّ ٱللَّهَ تَوَّابٞ رَّحِيمٞ ﴿١٢﴾
O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.
Nga Suneti
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë. Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë fqinjin. Dhe kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin.”
Shpjegimi
Profeti ﷺ në këtë hadith sqaron se robi që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, në të cilën do të kthehet dhe në të cilën do të shpërblehet në varësi të veprave të tij, është ai, besimi i të cilit e nxit që t'i bëjë këto virtyte:
1. Fjala e mirë: tesbihu (lartësimi i Allahut - subhanallah), tehlili (la ilahe il-lallah), urdhërimi për të mirë, ndalimi i së keqes dhe pajtimi ndërmjet njerëzve. E, nëse nuk e bën këtë, atëherë le të heshtë, të mos lëndojë askënd dhe ta ruajë gjuhën.
2. Nderimi i fqinjit: duke i bërë mirë dhe duke mos e dëmtuar.
3. Nderimi i mysafirit që vjen për të të vizituar, duke i folur fjalë të mira, duke i shërbyer ushqim e kështu me radhë.
Nga Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Muslimani (i vërtetë) është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët janë të sigurt dhe mërgimtar (i vërtetë) është ai i cili i braktis gjërat që Allahu i ka ndaluar."
Shpjegimi
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se muslimani i përsosur është ai nga gjuha e të cilit muslimanët janë të sigurt, duke mos i sharë, mallkuar, përgojuar dhe duke mos përhapur me gjuhën e tij midis tyre asgjë që i shqetëson ata. Si dhe janë të sigurt nga dora e tij, duke mos i dhunuar ata dhe duke mos ua marrë pasurinë padrejtësisht, dhe duke mos u bërë padrejtësi të tjera të ngjashme me këto. Ndërsa mërgimtar i vërtetë është ai i cili braktis gjërat që Allahu i ka bërë të paligjshme.
Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Xhibrili ﷺ vazhdimisht më porosiste për raporte të mira me fqinjin, saqë mendova se do t'i japë të drejtë në trashëgimi.”
Shpjegimi
Profeti ﷺ në këtë hadith na njofton se Xhibrili ia përsëriste vazhdimisht dhe e porosiste që të kujdesej për fqinjin, i cili është afër shtëpisë, qoftë musliman, qoftë jomusliman, qoftë i afërm, qoftë i largët, duke ia ruajtur të drejtën dhe duke mos e dëmtuar, duke i bërë mirë dhe duke duruar dëmin që mund ta shkaktojë, saqë Profeti ﷺ, duke e parë respektin që gëzon fqinji dhe faktin se Xhibrili e porosiste në vazhdimësi për këtë gjë, mendoi se do të zbriste shpallje ku fqinji do të kishte të drejtë në trashëgimi.