Lutja pas ezanit

Çfarë thuhet gjatë ezanit dhe lutja pasi ai mbaron.

1 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të dëgjoni ezanin, përsëritni fjalët që i thotë myezini.”

Muttefek alejhi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na nxit që t'i përgjigjemi myezinit kur e dëgjojmë, duke thënë fjalë për fjalë atë që e thotë ai. Kur ai thotë: "Allahu ekber", ne themi pas tij: "Allahu ekber" dhe, kur ai i thotë dy dëshmitë, ne i themi pas tij. Përjashtim bëjnë fjalët: "Haje ales-salah! Haje alel-felah!", pas të cilave thuhet: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah."

Dobitë

  • Myezini i dytë ndiqet pasi të ketë mbaruar i pari, edhe nëse ka shumë myezinë, bazuar në kuptimin e përgjithshëm të hadithit.
  • Myezinit i përgjigjet në të gjitha rrethanat e tij, (kuptohet) nëse nuk është në nevojtore ose duke i kryer nevojat fiziologjike.

Lexo në HadeethEnc.com

2 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur myezini thotë: "Allahu ekber, Allahu ekber!" dhe ai që e dëgjon e përsërit: "Allahu ekber, Allahu ekber"; pastaj, kur ai thotë: "Eshhedu en la ilahe il-lallah", ky thotë: "Eshhedu en la ilahe il-lallah"; kur thotë: "Eshhedu enne Muhammeden resulullah", ky thotë: "Eshhedu enne Muhammeden resulullah"; kur thotë: "Haje ales-salah", ky thotë: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah"; kur thotë: "Haje alel-felah", ky thotë: "La havle ve la kuvete ila bilah"; kur thotë: "Allahu ekber, Allahu ekber", ky thotë: "Allahu ekber, Allahu ekber", dhe, kur thotë: "La ilahe il-lallah", ky thotë: "La ilahe il-lallah", nga zemra e tij, do të hyjë në Xhenet.”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Ezani është për të informuar njerëzit se koha e namazit ka filluar. Fjalët e ezanit janë fjalë gjithëpërfshirëse për doktrinën e besimit.

Në këtë hadith, Profeti ﷺ sqaroi atë që është e ligjësuar gjatë dëgjimit të ezanit, respektivisht dëgjuesi e thotë atë që e thotë myezini. Nëse myezini thotë: "Allahu ekber", atëherë dëgjuesi thotë: “Allahu ekber” e kështu me radhë. Me përjashtim të rastit kur myezini thotë: "Haje ales-salah", dhe: "Haje alel-felah", ky thotë: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah."

Profeti ﷺ sqaroi se, kush e përsërit ezanin pas myezinit, sinqerisht nga zemra e tij, do të hyjë në Xhenet.

Kuptimet e fjalëve të ezanit: “Allahu ekber”, që do të thotë se Ai, i Lartësuari, është më madhështori, më i çmuari dhe më i madhi se çdo gjë e çdokush tjetër.

"Eshhedu en la ilahe il-lallah", që do të thotë se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë pos Allahut.

"Eshhedu enne Muhammeden resulullah", pra, e pranoj dhe dëshmoj me gjuhën e zemrën time se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të cilin e dërgoi Allahu i Lartmadhërishëm dhe është obligim t'i bindemi atij.

"Haje ales-salah", që do të thotë: Ejani në namaz! Ndërkaq, fjala e dëgjuesit, kur thotë: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah", e ka kuptimin: Nuk ka rrugë për të shpëtuar nga pengesat për të kryer adhurim dhe nuk ka forcë për ta bërë atë e as fuqi për të bërë ndonjë gjë, përveçse me suksesin e Allahut të Lartësuar.

"Haje alel-felah", që do të thotë: Ejani te shkaku i shpëtimit, që është fitimi i Xhenetit dhe shpëtimi nga Xhehenemi.

Dobitë

  • Vlera që të thuhet ashtu siç thotë myezini, përveç te pjesa: "Haje ales-salah" dhe "Haje alel felah", të thuhet: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah."

Lexo në HadeethEnc.com

3 Një herë

أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ، وَأَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ، رَضِيتُ بِاللهِ رَبًّا وَبِمُحَمَّدٍ رَسُولًا، وَبِالْإِسْلَامِ دِينًا

Kuptimi dhe burimi

Nga Sa'd ibën Ebi Uekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "I falen mëkatet atij njeriu i cili i thotë këto fjalë kur dëgjon muezinin: Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut, i Cili është i vetëm dhe nuk ka ortak dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Jam i kënaqur me Allahun si Zot dhe me Muhamedin si Pejgamber dhe me Islamin si fe".

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se kush thotë kur dëgjon muezinin: "Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut, i Cili është i vetëm dhe nuk ka ortak." Domethënë: Pohoj, pranoj dhe njoftoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se çdo i adhuruar tjetër veç Tij është i kotë. Dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij" D.m.th: Ai është rob e nuk adhurohet dhe është i dërguar që nuk gënjen. "Jam i kënaqur me Allahun si Zot" Domethënë: jam i kënaqur me faktin që Allahu është Zot, i adhuruar dhe që ka cilësitë dhe emrat më të bukur. "Dhe me Muhamedin si pejgamber" Domethënë: jam i kënaqur me të gjitha çështjet që ai solli dhe që i predikoi. "Dhe me Islamin" Domethënë: jam i kënaqur me të gjitha ligjet e Islamit qofshin ato urdhëresa apo ndalesa. "Si fe" domethënë: si diçka që besohet dhe pasohet. "I falen mëkatet" domethënë: mëkatet e vogla.

Dobitë

  • Thënia e kësaj lutjeje kur dëgjojmë ezanin është prej gjërave që shlyejnë mëkatet.

Lexo në HadeethEnc.com

4 Një herë

اللَّهُمَّ رَبَّ هَذِهِ الدَّعْوَةِ التَّامَّةِ، وَالصَّلاَةِ القَائِمَةِ، آتِ مُحَمَّدًا الوَسِيلَةَ وَالفَضِيلَةَ، وَابْعَثْهُ مَقَامًا مَحْمُودًا الَّذِي وَعَدْتَهُ

Kuptimi dhe burimi

Xhabir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që, pasi ta dëgjojë ezanin, thotë: “Allahumme rabbe hadhihi davetit-tammeti ves-salatil kaimeti, ati Muhammedenil vesilete vel fadilete, veb athhu mekamen mahmudenil-ledhi veadtehu. (O Allah, Zot i kësaj thirrjeje të përsosur dhe këtij namazi që po falet, jepja Muhamedit ndërmjetësimin dhe mirësinë. Ngrije në pozitën e lartë, - Mekami Mahmud, - të cilën ia ke premtuar), e meriton ndërmjetësimin tim Ditën e Kiametit.”

Transmeton Buhariu Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith sqaroi se kushdo që thotë këtë lutje pasi ta përfundojë muezini ezanin:

"O Allah, Zot i kësaj thirrjeje", që janë fjalët e ezanit, me të cilat thirren njerëzit për të adhuruar Allahun dhe për të kryer namazin. "të përsosur", do të thotë të plotë, pra thirrja e teuhidit dhe e mesazhit hyjnor. "dhe këtij namazi që po falet", që është i vazhdueshëm dhe i afërt për t’u kryer. "...jepja Muhamedit ndërmjetësimin", që është pozita më e lartë në Xhenet, e cila nuk do t’i jepet askujt tjetër përveç tij ﷺ. "...dhe mirësinë", që është shkalla e epërsisë ndaj shkallëve të tjera të krijesave. "Ngrije në pozitën e lartë, - Mekami Mahmud", që i sjell lavdërim atij që qëndron aty, dhe që i referohet ndërmjetësimit të madh në Ditën e Gjykimit. " të cilën ia ke premtuar", me fjalën e Tënde: "Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar." (El Isra 79), e meriton ndërmjetësimin tim Ditën e Kiametit.

Kushdo që thotë këtë lutje, do ta meritojë ndërmjetësimin e Profetit ﷺ, dhe ajo me siguri do t’i jepet atij në Ditën e Gjykimit.

Dobitë

  • Ligjshmëria e kësaj lutjeje është pas përfundimit të përsëritjes pas muezinit, dhe kush nuk e dëgjon thirrjen, nuk e thotë atë.
  • Vlera e të Dërguarit të Allahut ﷺ qëndron në faktin se atij iu dha ndërmjetësimi, mirësia, pozita e lartë, - Mekami Mahmud, dhe ndërmjetësimi i madh për ndarjen (gjykimin) mes krijesave.
  • Pohimi i ndërmjetësimit për të Dërguarin e Allahut ﷺ, siç tregohet në fjalën e tij: "e meriton ndërmjetësimin tim Ditën e Kiametit.”
  • Ndërmjetësimi i Profetit ﷺ do të jetë për ata që kanë bërë mëkate të mëdha nga umeti i tij, në mënyrë që të mos hyjnë në Zjarr, ose për ata që tashmë kanë hyrë në të që të nxirren prej tij, ose që të futen në Xhenet pa llogari, ose për ata që kanë hyrë në Xhenet që t’u ngrihen shkallët.
  • Tibiu ka thënë: "Prej fillimit të ezanit e deri te fjala “Muhamedi është i Dërguari i Allahut” është thirrja e përsosur. “Hajalah” (thënia: Ejani në namaz, ejani në shpëtim) i referohet namazit, që do të falet, siç është në fjalën e Tij: "E kryejnë namazin." Është e mundshme që “namazi” të ketë kuptimin e lutjes dhe “el kaimeh - që do të falet", nënkupton të qenët i vazhdueshëm. Sipas kësaj, fjala e tij “namazi që po falet” është një sqarim i thirrjes së përsosur. Është gjithashtu e mundshme që me “namazin” këtu të synohet namazi specifik dhe i vendosur për të cilin po bëhet thirrja në atë moment, dhe kjo është më e sakta."
  • Muhelebi ka thënë: "Hadithi inkurajon lutjen në kohët e namazit, sepse është një gjendje kur shpresohet që lutjet të pranohen."

Lexo në HadeethEnc.com

5 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Abdullah ibën Amër ibën Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Kur të dëgjoni myezinin, përsëritni fjalët që i thotë e pastaj dërgoni salavate për mua, sepse ai që dërgon salavate për mua një herë, Allahu do të dërgojë salavate (do ta lavërojë) për të dhjetë herë. Pastaj kërkoni prej Allahut për mua vesilen, e cila është pozitë në Xhenet që i takon vetëm një robi të Allahut. Kam shpresë të jem unë ai. Ai që kërkon vesilen për mua, do ta gëzojë ndërmjetësimin tim.”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith porosit këdo që e dëgjon myezinin teksa bën thirrje për namaz, që të përsëritë pas tij dhe të thotë njëjtë siç thotë ai, përveç te pjesët: "Hajje ales-salah" dhe: "Hajje alel-felah", thotë: "La havle ue la kuvvete il-la bil-lah!" Pastaj, pas përfundimit të ezanit, dërgon salavate për Profetin ﷺ, sepse ai që dërgon salavate për të një herë, Allahu do të dërgojë salavate (do ta lavdërojë) për të dhjetë herë. Kuptimi i salavatit të Allahut ndaj robit të Tij është: lavdërimi që Ai ia bën robit para melekëve.

Pastaj u urdhërua që t'ia kërkojë Allahut vesilen për Profetin ﷺ, e cila është një pozitë në Xhenet dhe është më e larta e tij, dhe ajo pozitë është vetëm për një rob nga të gjithë robërit e Allahut të Lartësuar, e unë shpresoj se do të jem ai. Profeti ﷺ e tha këtë vetëm nga modestia, sepse nëse ajo pozitë e lartë i takon vetëm një personi, atëherë ai person mund të jetë vetëm Profeti ﷺ, meqë ai është krijesa më e mirë.

Pastaj Profeti ﷺ sqaroi se, kushdo që lutet për Profetin ﷺ që Allahu t'ia japë vesilen, do ta arrijë ndërmjetësimin e tij ﷺ.

Dobitë

  • Inkurajimi për t'iu përgjigjur myezinit.
  • Vlera e salavatit për Profetin ﷺ pas përgjigjes ndaj myezinit.
  • Inkurajimi për ta lutur Allahun që t'ia japë Profetit ﷺ vesilen pasi t'i dërgojmë salavate atij.
  • Sqarimi i kuptimit të vesiles dhe pozitës së saj të lartë, meqë është vetëm për një rob.
  • Sqarimi i vlerës së Profetit ﷺ, meqë është veçuar me këtë pozitë të lartë.
  • Ai që e lut Allahun e Lartësuar që t'ia japë vesilen Profetit ﷺ, do ta gëzojë ndërmjetësimin e tij.
  • Sqarimi i modestisë së Profetit ﷺ, meqë kërkoi nga umeti i tij që të luten që Allahu t'ia japë këtë pozitë, megjithëse kjo pozitë do të jetë për të.
  • Mirësia dhe mëshira e gjerë e Allahut, meqë vepra e mirë dhjetëfishohet.

Lexo në HadeethEnc.com

6 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Lutja që bëhet në mes të ezanit dhe të ikametit nuk refuzohet."

Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu Grada: Sahih

Shpjegimi

Pejgamberi ﷺ në këtë hadith ka sqaruar vlerën e lutjes midis ezanit dhe ikametit, duke theksuar se ajo nuk refuzohet dhe është shumë e mundshme të pranohet. Prandaj, lutjuni Allahut në atë kohë.

Dobitë

  • Vlera e kësaj kohe për lutje.
  • Nëse lutësi përmbahet ndaj edukatës gjatë lutjes, zgjedh momentet dhe vendet e saj me vlerë, largohet nga mëkatet, ruan veten nga rënia në gjëra të dyshimta dhe ka mendim të mirë për Allahun, atëherë është e mundshme që t’i pranohet lutja, me lejen e Allahut.
  • Munaviu ka thënë për pranimin e lutjes: “Domethënë, pasi të plotësohen kushtet, shtyllat dhe edukata gjatë lutjes. Nëse ndonjë prej tyre mungon, atëherë le të fajësojë vetëm veten e tij.”
  • Pranimi i lutjes nënkupton: Ose lutja e tij i plotësohet menjëherë, ose largohet prej tij një e keqe e barasvlershme me të, ose ruhet për të në botën tjetër; e gjitha kjo sipas urtësisë dhe mëshirës së Allahut.

Lexo në HadeethEnc.com

Pyetje

Çfarë ka në këtë faqe?

Lutja pas ezanit: secili në arabisht, me kuptimin, hadithin nga vjen, gradën dhe një shpjegim.

Nga vijnë përkthimet?

Nga HadeethEnc.com, Enciklopedia e Haditheve Profetike të Përkthyera. Çdo hadith paraqitet saktësisht siç e botojnë ata, me burimin dhe gradën, dhe me lidhje te origjinali.

A mund të marr një kujtesë të përditshme?

Po. Aplikacioni falas Qabas për Android të kujton çdo ditë dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ka të njëjtin numërues.