Lutja për udhëzim dhe zemër të patundur

Lutje për udhëzim, devotshmëri dhe një zemër që qëndron e fortë në besim.

1 Një herë

اللَّهُمَّ اهْدِنِي وَسَدِّدْنِي

Kuptimi dhe burimi

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “Thuaj: 'O Allah, më udhëzo dhe më bëj të saktë! Me udhëzim, ke për qëllim udhëzimin tënd në rrugën e drejtë, ndërsa me saktësi, saktësinë në të qëlluar me shigjetë!”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ e urdhëroi Ali ibn Ebu Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që t’i lutet Allahut dhe t’i kërkojë, duke thënë: "O Allah, më udhëzo" dhe më drejto, e më përudh, "...dhe më bëj të saktë", e më jep sukses dhe më bëj të qëndrueshëm në të gjitha çështjet e mia.

Pra, udhëzimi (ar. el huda) është njohja e së vërtetës në detaje dhe në mënyrë të përgjithshme, si dhe suksesi për ta ndjekur atë si në dukje ashtu edhe në brendësi.

Ndërsa saktësia (ar. es sedad) është suksesi dhe qëndrueshmëria në të gjitha çështjet, duke qenë në përputhje me të vërtetën. Ajo përfaqëson rrugën e drejtë në fjalë, vepra dhe në bindje.

Meqë çështjet shpirtërore bëhen më të qarta përmes shembujve të ndjeshëm, kujto kur e thua këtë lutje se: "udhëzimi është si orientimi në rrugë". Sille në zemrën tënde ndërsa kërkon udhëzim, duke e imagjinuar orientimin e një udhëtari, i cili nuk devijon as djathtas as majtas nga rruga. Kjo, në mënyrë që të shpëtojë nga humbja, të jetë i sigurt dhe të arrijë qëllimin e tij shpejt.

Me shprehjen "es Sedad" (saktësi) nënkuptohet saktësia e shigjetës. Ti e vëren se kur e drejton shigjetën, ajo arrin shpejt dhe e godet cakun. Harkëtari, kur qëllon një cak, e drejton shigjetën me saktësi drejt tij. Në të njëjtën mënyrë, kur i lutesh Allahut të Lartësuar për saktësi, kërkon që ajo që synon, të jetë e përkryer, sikur një shigjetë që arrin cakun. Pra, në lutjen tënde, ti je një kërkues i udhëzimit të plotë dhe i saktësisë absolute.

Prandaj, sill këtë kuptim në zemrën tënde kur i lutesh Allahut për saktësi, në mënyrë që ajo që synon të përputhet me atë që përdor gjatë qëllimit me shigjetë.

Dobitë

  • Lutësi duhet të kujdeset për saktësimin dhe përmirësimin e veprës së tij, duke iu përmbajtur sunetit dhe duke pasur qëllim të sinqertë.
  • Pëlqehet të bëhet lutje me këto fjalë gjithëpërfshirëse për udhëzim dhe saktësi.
  • Njeriu duhet t'i kërkojë ndihmë Allahut të Lartësuar në të gjitha çështjet e tij.
  • Përdorimi i shembullit në kontekstin e mësimdhënies.
  • Bashkimi mes kërkimit të udhëzimit dhe përmirësimit të gjendjes, vazhdimësisë në të dhe shmangies nga devijimi, qoftë edhe për një çast, si dhe përmirësimit të përfundimit. Thënia e tij: "Më udhëzo", nënkupton që të jetë duke ecur në rrugën e udhëzimit, ndërsa thënia: "...më bëj të saktë", nënkupton arritjen e saktësisë dhe shmangien nga devijimi, pasi të ketë arritur në udhëzimin e kërkuar.
  • Lutësi duhet t’i kushtojë rëndësi lutjes së tij dhe t’i sjellë në zemër kuptimet e saj, sepse kjo është më e përshtatshme për pranimin e tyre.

Lexo në HadeethEnc.com

2 Një herë

اللهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الْهُدَى وَالتُّقَى، وَالْعَفَافَ وَالْغِنَى

Kuptimi dhe burimi

Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ thoshte: “O Allah, unë kërkoj prej Teje udhëzimin, devotshmërinë, dëlirësinë dhe vetëmjaftueshmërinë!”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Ndër lutjet e Profetit ﷺ ishte: “O Allah, unë kërkoj prej Teje udhëzimin", domethënë rrugën e drejtë për ta njohur të vërtetën dhe për ta jetësuar. "Devotshmërinë", domethënë përmbajtjen ndaj urdhrave dhe shmangien nga ndalesat. "Dëlirësinë", domethënë largimin nga ajo që është e ndaluar ose e papërshtatshme, qoftë në fjalë apo vepra. "Dhe vetëmjaftueshmërinë", domethënë të qenët i pavarur nga nevoja për të tjerët dhe të mos ketë nevojë për askënd përveç Zotit të tij të Lartësuar.

Dobitë

  • Fisnikëria e këtyre cilësive: udhëzimit, devotshmërisë, dëlirësisë dhe vetëmjaftueshmëria, si dhe nxitja për t’i përvetësuar ato.
  • Profeti ﷺ nuk mund t’i sjellë vetes dobi apo dëm, pasi e gjithë kjo është në dorën e Allahut të Lartësuar.
  • Ai që posedon fuqinë për të sjellë dobi, dëm dhe udhëzim për krijesat është vetëm Allahu; jo ndonjë melek i privilegjuar, as ndonjë profet i dërguar dhe as kushdo tjetër.

Lexo në HadeethEnc.com

3 Një herë

اللهُمَّ أَصْلِحْ لِي دِينِي الَّذِي هُوَ عِصْمَةُ أَمْرِي، وَأَصْلِحْ لِي دُنْيَايَ الَّتِي فِيهَا مَعَاشِي، وَأَصْلِحْ لِي آخِرَتِي الَّتِي فِيهَا مَعَادِي، وَاجْعَلِ الْحَيَاةَ زِيَادَةً لِي فِي كُلِّ خَيْرٍ، وَاجْعَلِ الْمَوْتَ رَاحَةً لِي مِنْ كُلِّ شَرٍّ

Kuptimi dhe burimi

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ lutej: “O Allah, ma rregullo fetarinë time, e cila është mbrojtja e çështjeve të mia; ma rregullo dynjanë time, në të cilën jetoj, dhe ma rregullo botën e përtejme, ku përgjithmonë do të qëndroj! Jetën time ma bëj shkak për shtim të veprave të mira, kurse vdekjen ma bëj rehati nga çdo e keqe!”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ bëri një lutje që përmbledh bazat e virtyteve të larta morale, për të cilat ai ishte dërguar për t’i përsosur. Në këtë lutje, ai kërkoi përmirësimin e fesë, jetës së kësaj bote dhe jetës së përtejme. Në këtë shprehje të shkurtër, ai u lut për të mirën e këtyre tri gjërave kryesore, duke filluar me përmirësimin e fesë, sepse përmes saj përmirësohet gjendja në të dy botët. Ai tha:

"O Allah, ma rregullo fetarinë time," duke më dhënë sukses në zbatimin e normave dhe rregullave të saj në mënyrën më të përkryer dhe më të plotë.

"...e cila është mbrojtja e çështjeve të mia" dhe ruajtësi i të gjitha punëve të mia. Nëse fetaria ime prishet, atëherë prishen edhe punët e mia, dhe unë dështoj e humbas. Dhe meqenëse përmirësimi i fesë së kërkuar nuk mund të plotësohet pa përmirësimin e kësaj bote, ai tha:

"...ma rregullo dynjanë time," duke më dhënë shëndet në trup dhe siguri, furnizim, bashkëshorte të mirë, pasardhës të ndershëm dhe gjithçka që më nevojitet, e që të jetë e lejuar dhe ndihmuese në bindjen ndaj Teje. Pastaj, ai përmendi arsyen për kërkesën e tij për rregullimin e kësaj dynjaje, duke thënë:

"...në të cilën jetoj", pra, aty ku e bëj jetesën dhe e kaloj jetën time.

"...dhe ma rregullo botën e përtejme, ku përgjithmonë do të qëndroj!" dhe do të jetë kthimi im për të të takuar, duke qenë kjo përmes përmirësimit të veprave, suksesit që Allahu ia jep robit për adhurim dhe sinqeritet dhe për të pasur një përfundim të mirë.

Profeti ﷺ e renditi botën e përtejme pas kësaj dynjaje, sepse e para është mjeti për të përmirësuar të dytën. Ai që jeton si duhet në këtë dynja, sipas asaj që dëshiron Allahu, atëherë bota e përtejme e tij do të jetë si duhet, dhe ai do të jetë i lumtur në të.

"...Jetën time" dhe jetëgjatësinë "...ma bëj shkak për shtim të veprave të mira", në të cilën shumëfishoj veprat e mira. "...kurse vdekjen" dhe përshpejtimin e saj "...ma bëj rehati nga çdo e keqe!”, qoftë sprovë, fatkeqësi, sprovim me gjynahe e pakujdesi dhe më çliro nga vështirësitë e dynjasë dhe shqetësimet e saj dhe ma mundëso arritjen e rehatisë.

Dobitë

  • Feja është gjëja më e rëndësishme; për këtë arsye, Profeti ﷺ e filloi lutjen me të.
  • Feja është mbrojtje për njeriun, e cila e pengon atë nga çdo e keqe.
  • Lutja për çështjet e kësaj dynjaje, për të përmirësuar fenë dhe botën e pastajme.
  • Nuk urrehet të dëshirohet vdekja për shkak të frikës nga sprovimi në fe, ose të kërkohet prej Allahut vdekja si dëshmor.

Lexo në HadeethEnc.com

4 Një herë

يَا مُقَلِّبَ القُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ

Kuptimi dhe burimi

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Shpeshherë i Dërguari i Allahut ﷺ e thoshte (këtë lutje): "O rrotullues i zemrave, mbaje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde!" I thashë: "O i Dërguari i Allahut! Ne të besuam dhe i besuam asaj me të cilën erdhe, a ke frikë për ne? - "Po. Vërtet zemrat janë ndërmjet dy gishtërinjve të Allahut: i rrotullon si të dëshirojë", - iu përgjigj Profeti ﷺ.

Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ahmedi Grada: Sahih

Shpjegimi

Lutja që më së shpeshti e bënte Profeti ﷺ ishte që Allahu ta bënte të qëndrueshëm në fe e në adhurim dhe ta largonte nga devijimi dhe humbja. Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte çuditur përse kaq shpesh Profeti ﷺ e thoshte këtë lutje, kështu që Profeti ﷺ i tregoi se zemrat janë ndërmjet dy gishtërinjve të Allahut: i rrotullon si të dojë. Zemra është vendi i imanit dhe kufrit. Zemra është quajtur kësisoj (në arabisht el-kalb), për shkak të luhatjeve të saj të shpeshta. Ajo rrotullohet më shumë sesa vorba kur vlon në tenxhere: atij që dëshiron Allahu, ia vendos zemrën në udhëzim dhe e bën të qëndrueshëm në fe, e atij që dëshiron, ia largon zemrën nga udhëzimi drejt devijimit dhe humbjes.

Dobitë

  • Nënshtrimi i Profetit ﷺ ndaj Zotit dhe përgjërimi i tij ndaj Tij, si dhe udhëzimi i muslimanëve që ta lusin Atë me këtë lutje.
  • Rëndësia e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit në fe dhe se në konsideratë merret përfundimi.
  • Robi nuk mund të vetëmjaftohet as aq sa hap e mbyll sytë nga qëndrueshmëria që ia bën Allahu atij në Islam.
  • Inkurajimi që kjo lutje të thuhet sa më shpesh, duke e ndjekur shembullin e Profetit ﷺ.
  • Stabiliteti në Islam është begatia më e madhe, për të cilën duhet të përpiqet njeriu dhe ta falënderojë Zotin për të.

Lexo në HadeethEnc.com

5 Një herë

Kuptimi dhe burimi

Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Të gjitha zemrat e njerëzve janë mes dy Gishtave të Mëshiruesit, sikur të ishin një zemër e vetme: e kthen atë nga të dojë.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u lut: “O Allah, Ti që i kthen zemrat, na i kthe zemrat tona nga adhurimi Yt!”

Transmeton Muslimi Grada: Sahih

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se zemrat e të gjithë bijve të Ademit, pra njerëzve, janë në mes të dy Gishtave të të Gjithëmëshirshmit, sikur një zemër e vetme; Ai e kthen nga të dojë; nëse do, e bën ta pranojnë të vërtetën, e nëse do, e devijon nga e vërteta. Kthimin që Allahu ua bën të gjithë zemrave është sikur kthimin që ia bën një zemre të vetme; Atë asgjë nuk e pengon. Pastaj Profeti ﷺ bëri lutje: "O Allah, Ti që i kthen zemrat, herë në adhurim, herë në mëkat, herë duke të të përmenduar, herë duke të të harruar, na i kthe zemrat tona nga adhurimi Yt!"

Dobitë

  • Pohimi i kadert (caktimit hyjnor) dhe se Allahu i udhëheq zemrat e robërve të Tij në varësi të kaderit që ua shkroi.
  • Muslimani duhet ta lusë Zotin e tij në vazhdimësi ta përforcojë në të vërtetën dhe udhëzimin.
  • Allahut duhet t'i frikësohemi dhe të lidhemi vetëm me Të, i cili nuk ka ortak.
  • Imam Axhurriu (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Ithtarët e së vërtetës e përshkruajnë Allahun e Lartmadhërar me atë që Ai e ka përshkruar Veten e Tij, dhe me atë që i Dërguari i Tij ﷺ e ka përshkruar Atë, si dhe me atë që e kanë përshkruar Atë shokët (sahabët) e tij ﷺ. Ky është drejtimi (medhhebi) i dijetarëve, që i janë përmbajtur (së vërtetës) dhe nuk kanë shpikur bidate (risi në fe). Pra, Ehli Suneti ia pohojnë Allahut ata emra dhe cilësi që Ai vetë ia ka vërtetuar Vetes, pa bërë tahrif (shtrembërim), tatil (mohim/refuzim), tekjif (pyetje "si është?"/formësim), apo temthil (shëmbëllim). Gjithashtu, ata ia mohojnë Allahut atë që Ai Vetë e ka mohuar për Veten e Tij, dhe heshtin për atë që nuk është pohuar as mohuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi." (Esh Shura, 11)."

Lexo në HadeethEnc.com

Pyetje

Çfarë ka në këtë faqe?

Lutja për udhëzim: secili në arabisht, me kuptimin, hadithin nga vjen, gradën dhe një shpjegim.

Nga vijnë përkthimet?

Nga HadeethEnc.com, Enciklopedia e Haditheve Profetike të Përkthyera. Çdo hadith paraqitet saktësisht siç e botojnë ata, me burimin dhe gradën, dhe me lidhje te origjinali.

A mund të marr një kujtesë të përditshme?

Po. Aplikacioni falas Qabas për Android të kujton çdo ditë dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ka të njëjtin numërues.