Mësimi 1 nga 3
Si ta marr abdes?
Nga Kurani
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِذَا قُمۡتُمۡ إِلَى ٱلصَّلَوٰةِ فَٱغۡسِلُواْ وُجُوهَكُمۡ وَأَيۡدِيَكُمۡ إِلَى ٱلۡمَرَافِقِ وَٱمۡسَحُواْ بِرُءُوسِكُمۡ وَأَرۡجُلَكُمۡ إِلَى ٱلۡكَعۡبَيۡنِۚ وَإِن كُنتُمۡ جُنُبٗا فَٱطَّهَّرُواْۚ وَإِن كُنتُم مَّرۡضَىٰٓ أَوۡ عَلَىٰ سَفَرٍ أَوۡ جَآءَ أَحَدٞ مِّنكُم مِّنَ ٱلۡغَآئِطِ أَوۡ لَٰمَسۡتُمُ ٱلنِّسَآءَ فَلَمۡ تَجِدُواْ مَآءٗ فَتَيَمَّمُواْ صَعِيدٗا طَيِّبٗا فَٱمۡسَحُواْ بِوُجُوهِكُمۡ وَأَيۡدِيكُم مِّنۡهُۚ مَا يُرِيدُ ٱللَّهُ لِيَجۡعَلَ عَلَيۡكُم مِّنۡ حَرَجٖ وَلَٰكِن يُرِيدُ لِيُطَهِّرَكُمۡ وَلِيُتِمَّ نِعۡمَتَهُۥ عَلَيۡكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَشۡكُرُونَ ﴿٦﴾
O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.
Nga Suneti
Humrani, i çrobëruari i Othmanit, tregon se pa Othmanin teksa kërkoi një enë me ujë (për të marrë abdes). Kështu, fillimisht derdhi (ujin nga ena) në duart e tij dhe i lau duart tri herë, pastaj futi dorën e djathtë në ujë dhe shpëlau gojën e hundën dhe e nxori (ujin) jashtë, pastaj lau fytyrën dhe duart deri në bërryla nga tri herë, i dha mes'h kokës dhe, fare në fund, lau secilën këmbë nga tri herë. Pastaj tha: "E kam parë Profetin ﷺ duke marrë abdes në këtë formë e pastaj tha: “Atij që merr abdes sikurse ky abdes imi dhe i fal dy rekate, pa u shpërqendruar, do t'i falen mëkatet e së kaluarës.”
Shpjegimi
Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ua mësoi përshkrimin e abdesit të Profetit ﷺ sipas një metode praktike, që të jetë më i kuptueshëm. Ai kërkoi një enë me ujë (për të marrë abdes), kështu që e derdhi (ujin nga ena) në duart e tij dhe i lau duart tri herë. Më pas e futi dorën e tij të djathtë në enë, ku mori ujë, e shpëlau gojën dhe e nxori ujin jashtë. Pastaj e tërhoqi me frymëmarrjen e tij ujin për te hunda, e më pas e nxori ujin jashtë. Pastaj lau fytyrën dhe duart nga tri herë, përfshirë bërrylat, nga tri herë, i dha mes'h tërë kokës një herë me duar të lagura dhe, fare në fund, lau këmbët, përfshirë edhe thembrat nga tri herë.
Kur e përfundoi këtë, i njoftoi se e ka parë Profetin ﷺ duke marrë abdes në këtë formë e pastaj Profeti ﷺ i ka përgëzuar se, atij që merr abdes sikurse ky abdesi im dhe i fal dy rekate, i përkushtuar dhe zemra e tij të jetë e pranishme para Zotit të tij të Lartmadhërishëm, Ai, i Lartësuari, në saje të mirësisë së Tij, do ta shpërblejë për këtë abdes të plotë dhe për këtë namaz të sinqertë duke ia falur mëkatet e së kaluarës.